E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ashton: Liderët politikë duhet të dialogojnë për çështjet

01/02/2011  Ministrat e Jashtëm të BE-së analizojnë situatën në Shqipëri

Kërkohet ndërhyrje më aktive për qetësimin e situatës në vend

Ministrat e Jashtëm të BE-së i kanë kërkuar shefes së diplomacisë në KE Katerin Ashton ndërhyrje më aktive për të zgjidhur situatën në Shqipëri. Kjo e fundit, siç raportojnë mediet, ka qenë kryefjala e mbledhjes së djeshme të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian. Vetë zonja Ashton u ka bërë thirrje liderëve politikë në Shqipëri të ulen dhe të negociojnë zgjidhjen e krizës. Ajo theksoi se ka marrë kontakte me Kryeministrin Berisha dhe kreun e PS Edi Rama. “Kam biseduar me liderin e opozitës dhe kryeministrin Berisha. Ne vazhdojmë të monitorojmë situatën në Shqipëri. Liderët politikë të dialogojnë për çështjet që i shqetësojnë”, - ka deklaruar Ashton. Ndërkohë, sipas medies, në takimin e djeshëm është folur dhe rreth takimeve që i dërguari i zonjës Ashton, Miroslav Lajçak, pati me krerët kryesorë të shtetit dhe politikës shqiptare. Ky i fundit u bëri thirrje liderëve në konflikt që të lënë mënjanë retorikën dhe të dëgjojnë atë çka u thotë BE-ja.

Axhenda

Që prej datës 21 janar, kur u dhunua Kryeministria, çështja e Shqipërisë është futur në axhendën kryesore të Bashkimit Evropian. Frika e një reaksioni zinxhir në vendet e Ballkanit dhe imitimi që mund ti bëhet marrjes me dhunë të pushtetit duket se ka shqetësuar seriozisht jo vetëm partnerët tanë të Evropës, por dhe shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kësaj i shtohet fakti që Shqipëria dhe Kroacia janë dy vende anëtare të NATO-s dhe komuniteti ndërkombëtar nuk mund të lejojë shfaqje të tilla si ato të 21 janarit. Lajçak në vizitën e tij të fundit bëri me dije se nuk është e largët dita kur vetë Stefan Fyle, komisioneri për Zgjerimin, dhe ministrja e Jashtme Ashton do të bëjnë një vizitë në vendin tonë për tu njohur më nga afër me pretendimet e palëve dhe bërjen të mundur të nisjes së dialogut. Gjithsesi, në këto kushte kjo duket e vështirë, po të kemi parasysh se mazhoranca akuzon opozitën për grusht shteti, ndërsa opozita tund si kazus tri viktimat e datës 21 janar. Për këtë arsye komuniteti po ndjek nga afër si dhe ka bërë thirrje për një hetim të plotë dhe transparent të ngjarjes, çka do të qetësonte disi mendjet e nxehtë të politikës shqiptare. Gjithsesi, nga zhvillimet duket qartë se komuniteti ndërkombëtar ka përjashtuar në çdo rast zgjedhjet e parakohshme, një kusht ky i opozitës për tu ulur në bisedime.

Thirrja e Lajçak

I dërguari i Katerinë Ashton në Tiranë, Miroslav Lajçak, ishte më se i qartë në atë që i kërkonte politikës shqiptare. “Ne jemi me ju. Duam që Shqipëria të ketë një realitet të qartë europian. Duam të shikojmë një fund të dhunës dhe ulje të tensioneve. Nuk është mënyra europiane e të zgjidhurit të çështjeve politike ajo që pamë të premten e datës 21 janar. Këto çështje janë të gjitha çështje që mund të arrihen vetëm nëse qeveria dhe opozita luajnë rolin e tyre. E bëra të qartë se e ardhmja europiane e Shqipërisë varet nga fakti nëse udhëheqësit politikë shqiptarë do të zgjedhin të bëjnë atë që themi ne apo të bëjmë atë që bëjnë tani. Jemi të gatshëm të kthehemi në Shqipëri. Dhe Ashton e Fule janë të gatshëm të kthehen. Por tashmë politikanët duhet të bëjnë atë që duhet bërë.”

Qëndrimi i SHBA-ve

Por nuk është vetëm Bashkimi Evropian që kërkon dialog mes palëve në Shqipëri për të mos destabilizuar vendin. Mesazhe shumë të qarta kanë ardhur dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës qoftë nëpërmjet ambasadorit Aleksandër Arvizu, qoftë nëpërmjet ndihmëssekretarit të Shtetit Tomas Kantrimen. Ishte ky i fundit që tha prerazi, me një gjuhë të zhveshur nga konotacionet diplomatike, “jo” të prerë zgjedhjeve të parakohshme në Shqipëri. Edhe zoti Kantrimen kërkoi nga politika që problemet ti zgjidhë me qetësi, duke dënuar dhunën që u shfaq në ngjarjet e 21 janarit. Gjithsesi, politika shqiptare ka treguar se dialogun e ka pjesën më të vështirë të të bërit politikë, megjithëse vendi ka shumë nevojë.

BE kërkon hetim transparent, shprehet se po vëzhgon punën e Ina Ramës

Butler: Fule në Tiranë për të takuar Berishën dhe Ramën

“Shqipëria kandidate për në BE, të respektojë ndarjen e pushteteve”

Natasha Butler, zëdhënësja e komisionerit për Zgjerimin Stefan Fyle, tha dje se nuk përjashtohet mundësia që shefi i saj të marrë avionin dhe të vijë në Shqipëri për të dëgjuar nga afër liderët politikë, por dhe të bëjë të mundur një tryezë dialogu për ta. “Shqipëria u përball me një përkeqësim të situatës së brendshme me një numër të caktuar manifestimesh me pasojë jetën e tre personave dhe disa dhjetëra të plagosurve. Zonja Ashton vlerësoi se është thelbësore, në kuadër të politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së, që përbëjnë kompetencat e saj, që të dërgojë me urgjencë një të dërguar të posaçëm, pra Miroslav Lajçak, gjë që nuk do të thotë se komisioneri përjashton faktin për të vajtur vetë në Tiranë. Si e dini, ai udhëton jashtëzakonisht shumë. Kjo nuk përbën problem për atë, pasi mund të udhëtojë çdo ditë. Mund të ndodhë që ai të marrë avionin për në Tiranë dhe të takojë kryeministrin Sali Berisha dhe liderin e Partisë Socialiste Edi Rama për gjetur një zgjidhje të krizës”, - ka bërë të ditur Butler. Nga ana tjetër, zëdhënësja e komisionarit për Zgjerim u shpreh se BE-ja po ndjek nga afër hetimin për ngjarjet e 21 janarit, punën e prokurores së përgjithshme, “Për sa i përket Shqipërisë, ne po e ndjekim situatën nga shumë afër. Po ndjekim edhe procedurat gjyqësore që po zhvillohen dhe gjithë punën që po bëhet nga prokurorja e përgjithshme Ina Rama”, - tha Butler.

Ndarja e pushteteve

Një gjë është shumë e qartë: në Shqipëri, si në çdo vend potencialisht kandidat, duhet të ekzistojë ndarja e pushteteve, që do të thotë se duhet të ketë një ndarje të pushtetit mes ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit. Ky rregull aplikohet ndaj çdo vendi dhe duhet të vihet në fuqi në Shqipëri. Kjo është baza e demokracisë dhe është e rëndësishme që Shqipëria, e cila ka shtruar kërkesën për anëtarësim në BE, të mund të tregojë se zbaton dhe respekton këto parime kyçe, që janë pjesë e kritereve të Kopenhagës.

Ish-zv.presidentja e Bundestagut

Blas: Politikës shqiptare i mungon kultura e dialogut

Ekspertja politike gjermane, ish-zv.presidentja e Bundestagut gjerman Petra Blas-Rafajlovski, thotë se politikanët e Tiranës duhet të heqin dorë urgjentisht nga kultura e sharjeve reciproke dhe gjuha e urrejtjes. “Kam ndjekur tre muajt e fundit të vitit të kaluat në terren në Shqipëri kulturën e mungesës së dialogut, shkëmbimin e epiteteve nga klasa politike, pra kulturën e sharjeve, fyerjeve, akuzave reciproke dhe fjalimet plot urrejtje. Çfarë mund të prodhojë një politikë e tillë? Mungesën e dialogut, pa dyshim. Por, nga ana tjetër, tragjedia e 21 janarit mund të shihet si një shans për palët që të ulen në tryezën e bisedimeve për të diskutuar seriozisht. Por që kjo të ndodhë, historia na ka dhënë mësimin se hapi kryesor është mbështetja te faktet, pra tek ajo që ndodhi. Dhe për këtë natyrisht ka vetëm një mënyrë: zbatimi i ligjit dhe funksionimi i drejtësisë, përndryshe ka gjasa që të ndodhin konflikte të tjera potenciale. Është e domosdoshëm zbatimi i ligjit dhe sistemi gjyqësor të merret me faktet”, - thotë Blas. Sipas saj, hapi i parë është tejkalimi i kësaj situate dhe ndërmarrja e hapave për zgjedhjet e ardhshme lokale. “Hapi i parë është tejkalimi i kësaj situate, që do të thotë zbatim i ligjit, drejtësi funksionale, fillim i dialogut. Pastaj vjen sfida e zgjedhjeve lokale, ajo e zhvillimit të tyre paqësor. Këtu presioni është shumë, shumë i lartë nga BE-ja dhe faktori ndërkombëtar. Shqipëria duhet të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky është prioriteti i prioriteteve. Nuk ka rëndësi se kush i fiton ato. Respektimi i procedurave është domosdoshmëri dhe kundërshtimi i fuqishëm i çdo lloj presioni mbi zgjedhësit”, - thotë Blas.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›