Bashkia shpall "Qytetar Nderi” të Tiranës, akademikun Kristo Frashëri

Me propozim të grupit të këshilltarëve të PS-së, në Këshillin Bashkiak dhe me miratimin unanim të të gjithë anëtarëve të Këshillit Bashkiak, Bashkia e Tiranës i ka dhënë titullin "Qytetar Nderi" të Tiranës, Akademikut Kristo Frashëri. Me motivacionin "Për kontributin e çmuar në evidentimin e vlerave historike të qytetit të Tiranës", Këshilli Bashkiak në unanimitet ka vendosur t`i akordojë titullin "Qytetar Nderi", historianit të njohur Kristo Frashëri.
Akademik Kristo Frashëri ka luajtur një rol të rëndësishëm, në evidentimin e vlerave historike kulturore dhe qytetare të Tiranës. Ai ka realizuar një sërë studimesh dhe ka botuar shkrime dhe libra për historinë e kryeqytetit shqiptar. Më 11 shkurt, në një intervistë të posaçme, dhënë për konferencën shkencore të organizuar nga Bashkia e Tiranës, në kuadër të 92-vjetorit të deklarimit të Tiranës si kryeqytet i vendit, Kristo Frashëri deklaroi se e ndiente veten krenar, që ishte qytetar i Tiranës dhe me këtë dashuri dhe krenari për Tiranën ka punuar për evidentimin e historisë së saj.
Profesor Kristo Frashëri është një nga historianët e njohur shqiptarë, me një prodhimtari shkencore që mbulon një periudhë gati 70-vjeçare. Lindur më 17 dhjetor 1920 në Stamboll, Kristo Frashëri ka trajtuar temat nga historia politike, zhvillimi ekonomik, probleme shoqërore, mendimi filozofik dhe lëvizja kulturore shqiptare. Kristo Frashëri është autor i punimeve të shumta shkencore si: "Lidhja e Prizrenit 1878-1881"; "Gjergj Kastrioti Skënderbeu - Jeta dhe vepra"; "Historia e Tiranës"; "Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV"; "Identiteti kombëtar i shqiptarëve"; "Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912"; "Historia e qytetërimit shqiptar" etj.