E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkimi Europian vendos ti jape nje pergjigje te forte Sirise

Kriza siriane ishte në qendër të diskutimeve në ditën e dytë të punimeve të ministrave të jashtëm europianë në Vilnius, kryeqytetin e Lituanisë që mban dhe presidencën e radhës.

“Provat e marra dëshmojnë që sulmi në Damask i 21 gushtit është ndërmarrë nga regjimi i Asad. Përpara përdorimit të armëve kimike komuniteti ndërkombëtar nuk mund të qëndrojë indiferent. Një përgjigje e fortë dhe thelbësore për të qartësuar se këto krime nuk janë të pranueshme dhe nuk mund të kalojnë pa u dënuar”.

Në këtë mënyrë është shprehur përfaqësuesja e lartë e bashkimit europian për politikën e jashtme Ketrin Eshton.
I pranishëm në takimin diplomatik europian ka qenë dhe sekretari amerikan i shtetit Xhon Kerri, në kërkim të një mbështetjeje politike për ndërhyrjen ushtarake në Siri. Domosdoshmërinë e kësaj ndërhyrjeje e ka shpjeguar dhe njëherë presidenti amerikan Barak Obama.

“Nuk mund të injorojmë sulmet me armë kimike, edhe pse një gjë e tillë ka ndodhur në anën tjetër të botës. Për këtë arsye i kërkoj anëtarëve të kongresit që të bëhen bashkë për të mbrojtur idenë e botës ku duam të jetojmë, botën që do u lëmë në trashëgimi fëmijve tanë dhe brezave të ardhshëm”, tha Obama.

Rezoluta për sulmin ushtarak në Siri do të votohet të mërkurën nga kongresi amerikan. Gjermania ndërkohë ka vendosur ti përgjigjet apelit të firmosur nga 11 vende në samitin e G20 për një reagim ndërkombëtar ndaj sulmeve të Asad.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›