E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkimi Evropian dënon dhunën në Egjipt

BRUKSEL- Bashkimi Evropian dënon dhunën në Egjipt, në përpjekje për t'u bërë një urë komunikimi mes palëve, duke bërë thirrje për rikthimin sa më të shpejtë të tranzicionit demokratik, dhe duke theksuar se ndihma evropiane lidhet me progresin e arritur në këtë aspekt, u shpreh Michael Mann, zëdhënësi i Komisioneres së BE për Politikën e Jashtme, Catherine Ashton, sot në Bruksel.

"Gjatë muajve të fundit po luajmë rolin e një ure lidhëse për inkurajimin e dialogut mes palëve", theksoi zëdhënësi.
''Kemi qëndruar në kontakt me të gjithë, duke përfshirë edhe "Vëllazërinë Myslimane", nënvizoi ai.
Mann ritheksoi se BE-ja e dënonte ashpër dhunën e ushtruar, duke i dhënë rëndësi nevojës së një procesi paqësor e gjithëpërfshirës drejt demokracisë.

''Po bëjmë gjithçka që është e mundur me anë të bisedimeve mbi këtë temë, për paqe dhe reformim'', tha Mann.
Ai theksoi se në momentin e duhur, BE do të dërgonte një mision politik në vend.

''Egjipti ndodhet nën vëmendjen tonë të përhershme dhe mund të marrim vendime të shpejta në lidhje me këtë çështje'', shpjegoi zëdhënësi, duke deklaruar se këtë vit Brukseli nuk e ka mbështetur Kajron me fonde për shkak të mungesës së progresit drejt demokrcisë.

"Gjithsesi, pjesa më e madhe e fondeve nuk i shkon shtetit, por organizatave të shoqërisë civile", nënvizoi Mann.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›