E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkimi Evropian nuk e pranon platformën serbe për Kosovën

Bashkimi Evropian ka hedhur poshtë tërthorazi platformën e Serbisë për Kosovën, duke i favorizuar konkluzionet e fundit të Këshillit të BE-së.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk kanë dhënë asnjë koment rreth Platformës së Serbisë për Kosovën , e cila parasheh autonomi për serbët, shuarjen e FSK-së si dhe krijimin e dy dhomave në Kuvendin e Kosovës.

Zëdhënësja e Baroneshës Ashton, Maja Kocijancic, ka thënë për Express se nuk ka ndonjë koment për platformën, ndërsa ka treguar se pozicioni i BE’së është i prezantuar në konkluzionet e Këshillit të Ministrave.

“Unë nuk kam asnjë koment rreth platformës”, ka thënë Kocijancic.

“Pozicioni i BE-së është i përcaktuar qartë në konkluzionet e Këshillit të 11 dhjetorit”, ka shtuar ajo.

Në konkluzionet e BE-së nuk përkrahet krijimi i institucioneve paralele me ato të Kosovës, ndërkohë që i kërkohet Prishtinës t’i trajtojë problemet e serbëve në Veri.

“Këshilli kërkon përparim të mëtejmë, përfshirë progresin e pakthyeshëm, duke krijuar struktura në Veri te Kosovës, të cilat i përmbushin kërkesat për siguri dhe drejtësi për popullatën në mënyrë transparente dhe kooperative në mënyrën që siguron funksionalitetin e një kornize unike institucionale dhe administrative brenda Kosovës dhe që respekton nevojat e veçanta të popullatës lokale”, thuhet në përfundimet e BE-së, të publikuara para dhjetë ditësh.

Veç kësaj, BE ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia t’i trajtojnë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me përmirësimin e raporteve mes dy vendeve. Madje, është kërkuar edhe hartimi i një plani për Veriun nga ana e autoriteteve të Prishtinës.

Kosova ende nuk ka prezantuar ndonjë plan për atë pjesë të Kosovës, ndërsa Serbia veç ua ka prezantuar diplomatëve të BE-së platformën e saj./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›