Krasniqi: Unë mund ta bëjë fuqizimin e PDK-së në Prishtinë

Djali nga Ulpiana që për një kohë të gjatë përfaqësonte figurën model për shumë të rinj të Kosovës, sot pritet të marr drejtimin e Degës së PDK-së në qytetin e tij të lindjes.
Në garën për të parin e kësaj Dege, burime të “Tribuna Shqiptare” mësojnë se Krasniqi ka siguruar edhe mbështetjen e shefit të partisë, Hashim Thaçi.
Ndërsa, Memli Krasniqi është i bindur se do ta fitojë këtë garë. Ai thekson të jetë motivuar nga pakënaqësia me pozitën e PDK-së në Prishtinë, dhe të njëjtën kohë është i bindur se PDK-ja me të do të masivizohet.
“Pa dyshim që fuqizimi i Degës së PDK-së në Prishtinë, zgjedhimi i saj dhe konsolidimi për t’i fituar zgjedhjet e ardhshme, unë mund ta bëjë me mirë sesa të tjerët, Jo se ata nuk dinë, por unë mendoj se kam një koncept integrues, një koncept gjithëpërfshirës, i cili jam i bindur se do të funksionojë për Prishtinën”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se nëse e merr timonin e Degës së PDK-së në Prishtinë, menjëherë do të hap zyrë të kësaj degë në gjithë komunën e Prishtinës, zyre të cilat sipas tij, do të jenë në shërbim të qytetarëve për t’i trajtuar hallet e tyre.
Ndërsa, thotë se kandidatura e tij për kryetar të Degës së PDK-së në Prishtinë, nuk duhet të ndërlidhet me mundësin e përgatitjes së terrenit për të kandiduar edhe për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale. /Indeksonline/