E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkimi PS-LSI, Rama-Basha sherr në distancë

Basha: Ish-kryetari Rama ofron vetëm konflikt politik. Rama: Tanimë shumica do mbrojë qytetarët e Tiranës

rama bashaKryetari i Bashkisë së Tiranës , Lulëzim Basha dhe kreu i PS-së, Edi Rama kanë replikuar në distancë mes tyre pas vendimit të një dite më parë, për bashkimin e votave të këshilltarëve te PS-së dhe atyre të LSI-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Basha
Kryebashkiaku i Tirënës, Basha e konsideroi një vendim tërësisht politik bashkimin e votave mes këshilltarëve të majtë, duke akuzuar kryetarin e opozitës për krijimin e konflikteve politike, me qëllim instrumentalizimin e Bashkisë së kryeqytetit. Ju e shikoni qartë se ato vijnë pas vendimit të Parlamentit, pra janë vendime thjesht politike. Nga kjo pikëpamje, më vjen keq të konstatoj përsëri se e vetmja strategji e ish-kryetarit të Bashkisë, në raport me Bashkinë e Tiranës dhe qytetin e qytetarët e Tiranës është strategjia e konfliktit politik, e instrumentalizimit të Bashkisë së Tiranës, si një arenë e konfliktit politik, tha Basha. Sipas kryebashkiakut, Bashkia sot është në shërbim të qytetarëve, duke ofruar zgjidhje dhe projekte për ta. Bashkia, ofron zgjidhje, projekte dhe shërbime, ndërsa ish-kryetari Rama ofron vetëm konflikt politik, u shpreh më tej, Lulzim Basha.
Rama
Pas këtyre deklaratave të Lulzim Bashës, reagoi menjëherë i kryetarit të opozitës, Edi Rama. Përmes rrjetit social Twitter ai theksoi se shumica e majtë në Këshillin Bashkiak do mbrojë qytetarët e Tiranës nga planet klienteliste, abuzimet dhe vjedhjet në bashki. E paska harruar zërin e qytetarëve që flasin përmes Këshillit Bashkiak po ska faj, ska bërë asgjë dhe i trembet zërit të shumicës në Këshill. Tanimë shumica do mbrojë qytetarët e Tiranës e jo vetëm nga planet klienteliste, inaugurimet sa për televizion, abuzimet e vjedhjet në bashki e qarqe, shkruan Rama. Pas vendimit të marrë mes këshilltarëve të PS-së dhe atyre të LSI-së për të bashkuar votat e tyre në Këshillin Bashkiak të Tiranës, e majta ka 32 mandate këshilltarësh kundrejt 23 mandateve të demokratëve. Pas këtij vendimi, këshilltarët e majtë kanë kërkuar menjëherë shkarkimin e kreut të Këshillit Bashkiak, Njazi Kosovrasti dhe emërimin në vend të tij të Aldrin Dalipit.

Durrës dhe Fier, PS-LSI bashkojnë votat
për shkarkimin e kryetarit të Këshillit
Pas Tiranës, këshilltarët e LSI-së dhe ata të PS-së kanë nisur bashkëpunimin e tyre për të krijuar një maxhorancë të re në të gjitha këshillat bashkiakë dhe ata të qarkut. Kështu deputeti i LSI-së në Durrës, Lefter Koka tha se bashkë me socialistët po ndërmarrin iniciativën ligjore për të kthyer mazhorancën në favor të PS-së dhe LSI-së. “Ndodhur përpara një individi dhe një qeveri në largim, ku për 8 vjet bën të pamundurën për të kontrolluar çdo pushtet politik dhe ekonomik. Ndaj dhe sot për të shpëtuar Durrësin nga monopolizimi i ndodhur kudo vendosëm së bashku me PS të fillojmë procedurat ligjore për ti kthyer këshillat bashkiak dhe këshillit të qarkut mazhorancës reale, PS dhe LSI”, tha Lefter Koka. Bashkimi i këshilltarëve të LSI-së me PS-në në Durrës krijon një mazhorancë të re, pasi raporti shkon 25 me 20 në favor të së majtës. Me ketë numër synohet edhe ndryshimi i raporteve në këshillin e qarkut për të shkarkuar kryetarin e këshillit, Armand Teliti, i cili është zgjedhur nga Partia Demokratike. Në të njëjtën linjë pritet të veprojnë edhe këshiltarët e majtë në Këshillin e qarkut, Fier. Votat e këshilltarëve të majtë përmbysim mazhorancën aktuale, dhe sipas kryetarit të PS-së në Fier, Andjus Olldashi, brenda 10 ditësh do të paraqitet mocioni i mosbesimit ndaj kryetarit të Këshillit të qarkut, Artur Shehu, duke ja lënë vendin Vangjel Ndrekos.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›