“Shqipëria, 1 miliard dollarë në vit investime të huaja”

Arben Imami, takim me studentët e fakultetit ekonomik dhe të rinjtë e qytetit të Elbasanit
Arben Imami po zhvillon një sërë takimesh me të rinjtë e qarkut të Elbasanit. Në takimin e fundit me student të fakulteti Ekonomik në Elbasan, Ministrit Imami u ndal në zhvillimet ekonomike që ka pasur Shqipëria në këto 8-vjet me programin e Partisë Demokratike falë taksës së sheshtë.
Ministri Imami gjatë takimit me të rinjtë u shpreh se ka dy rrugë stabiliteti me të cilat duhet të përballemi. “Ato janë rruga e qëndresës dhe rruga e një zhvillimi të kujdesshëm jo me masën dhe shpejtësinë që do të dëshironim por e sigurt për të ecur përpara siç kemi ecur në këto 4 vjet krize, ku Shqipëria ka ecur me një mesatare mbi 3 për qind ndërkohë që fqinjët rreth nesh kanë qenë me tregues zhvillimor negativ ose shumë të vegjël gjatë gjithë këtyre viteve. Shqipëria e pati zhvillimin dhe rritjen e prodhimit të përgjithshëm kombëtarë që në vitin 2008 me një rritje vjetore prej 8 - 9 për qind ndërkohë që vende të tjera të rajonit e kishin 3 për qind”, theksoi ai.
Më pas Imami theksoi se “Jemi në një moment, cilësoi ai nga ku duhet të vendosim që ta kapërcejmë krizën dhe t’i rezistojmë këtij presioni të madh i cili vjen nga mjedisi ndërkombëtar, ose në të kundërt të përfshihemi e të jemi pjesë e krizës ! Në krizë është Greqia, Italia, Qiproja, Spanja gjithashtu është në vështirësi të mëdha ku papunësia është 25 për qind dhe po ashtu në rajon ka rënë me 20-25 për qind. Politikat tona financiare së pari taksa e sheshtë dhe e ulët, së dyti një mjedis joshës për investimet e huaja, ka bërë të mundur që çdo vit në Shqipëri të investohen rreth 1 miliardë dollar”.
Ndër të tjera, kryetari i grupit të punës së PD, vuri në dukje se “janë pikërisht këto 1 miliardë dollarë investime të cilat kanë bërë të mundur që Shqipëria t’i rezistoj krizës, e jo vetëm t’i rezistoj por edhe të zhvillohet, të investoj në të gjithë infrastrukturën, në shkolla, në rrugë etj”.
Në qoftë se shohim vitin 2012 theksoi Imami, ne kemi disa arritje të jashtëzakonshme që nuk i kemi pasur në vite përpara sepse bujqësia në Shqipëri është rritur mbi 6 për qind dhe kjo është ekonomi reale dhe produkt i prekshëm.
Gjithashtu Imami theksoi se, “vendi ynë me qeverisjen e këtyre viteve, me modelin e taksës së sheshtë ka treguar se e përballoi stuhinë ekonomike që përfshiu të gjithë Europën. Sipas tij, përballë kemi një tjetër model ekonomik, taksë e lartë dhe progresive që do të thotë të paguash një nivel të ulët taksash në raport me vendet e tjera të rajonit. Në përfundim të deklaratës së tij, Imami nënvizoi se bizneset e huaja që po investojnë në Shqipëri me taksën progresive do t’i mbyllnin kompanitë e tyre dhe të jeni të sigurt që brenda 1 viti Edi Rama do ta shkatërrojë ekonominë shqiptare për këtë jam i sigurt sepse ai di të shkatërrojë shumë mirë çdo gjë.