Prapaskenat e dorëheqjes së dy anëtarëve të PS nga KQZ
Pas Denar Bibës, edhe anëtarja tjetër e Partisë Socialiste në KQZ, Albana Shtylla ka dhënë dorëheqjen e saj si anëtare duke e lënë kështu opozitën të papërfaqësuar në KQZ. Pasi ka dorëzuar kërkesën e saj pranë zyrave të KQZ-së, Shtylla ka bërë publike arsyet të cilat e shtynë drejt këtij vendimi.
Deklarata
Sipas Albana Shtyllës, cenimi i integritetit të institucionit të KQZ-së ishte arsyeja e cila e shty atë drejt dhënies së dorëheqjes. E kam thënë që zbatimi i ligjit, integriteti profesional dhe paanësia politike më ka karakterizuar gjatë gjithë karrierës time të gjatë në administratën publike. Në këtë kontekst, kushdo të ishte në vendin tim, do të konstatonte se gjatë ushtrimit të një detyre të caktuar në një funksioni publik, i cënohet integriteti, i cënohet garancia ligjore që është shumë e rëndësishme për ushtrimin e mandatit, do të bënte të njëjtën gjë, tha Shtylla. Sipas saj, vërtet kandidaturat propozohen nga partitë, por në momentin që betohen, nuk i përkasin asnjë partie.
“KQZ është institucion i pavarur. Besoj jeni të mirinformuar dhe dikush që nuk e njihte Kodin Zgjedhor ka mësuar diçka prej tij, që anëtari i KQZ, që në momentin që bën betimin dhe konstituohet është i paanshëm politikisht, pikërisht siç thotë Kodi, deklaroi Albana Shtylla.
Kuvendi
Pas dorëheqjes së dy anëtarëve të propozuar nga Partia Socialiste, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i ka kërkuar kryetarit të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi që të propozojë brenda afatit të 48 orëve emrat e dy kandidatëve të tjerë. Por ndërkohe, burime nga Partia Socialiste deklaruan se nuk do të dorëzohen kandidatura për zëvendësimin e dy vendeve te mbetura bosh nga dorëheqjet ne KQZ. Sipas kësaj partie, pas zëvendësimit të dhunshëm të anëtarit Ilirian Muho, ky institucion ka humbur legjitimitetin ndaj dhe nuk do të paraqesë kandidatura brenda 48 orësh.
Prapaskenat
Por në fakt mësohet se pas dorëheqjeve të anëtarëve të KQZ, qëndron një plan i përbashkët Rama-Meta si presion ndaj Berishës, pasi dyshja e majtë ka deklaruar se Berisha synon të vjedhë zgjedhjet. Por dorëheqja e dy anëtarëve të KQZ-së, që ka ardhur me urdhër nga PS, edhe pse vetë ata personalisht nuk e pranojnë, është edhe një veprim për të tërhequr më shumë vëmendjen e ndërkombëtare drejt KQZ-së, dhe zgjedhjeve. Ndërkohë pjesë tjetër e planit është, që kur e majta të çojë emrat e saj në KQZ, një emër do të jetë edhe i LSI-së.
PPE: E papranueshme tërheqja e anëtarëve të KQZ-së
Presidenti i Partisë Popullore Evropiane, Wilfried Martens, ka deklaruar se dënon bojkotin që i është bërë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga anëtarët socialistë. Është e rëndësishme që të ruhet balanca brenda KQZ-së, çka është përcaktuar nga një marrëveshje ndërpartiake dhe nga ligjet për zgjedhjet. Çdo përpjekje për të modifikuar balancën e pranuar, katër anëtarë nga qeveria dhe tre nga opozita, është një përpjekje për të destabilizuar të gjithë sistemin zgjedhor dy muaj përpara zgjedhjeve. Në këto kushte, tërheqja e anëtarëve socialistë nga KQZ është e papranueshme, deklaroi Martens.
Rama: Saliu i PPE nuk e shpëton dot Saliun e PD-së
Kreu i PS-së, Edi Rama reagoi në rrjetin social Twitter pas deklaratës së bërë nga Presidenti i Partisë Popullore Evropiane, Wilfried Martens. Saliu i PPE flet për KQZ si të ishte vegël e partive! Por ligji flet ndryshe. SHBA e BE po ashtu. Saliu i PPE se shpëton dot Saliun e PD, shkruan Rama.