Bashkimi i paevitueshëm

Librin e tij të fundit, ‘Kosova’ në tri vëllime, shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi e prezantoi edhe përpara lexuesve gjakovarë. Ai këtë e bëri në kuadër të shënimit jubilar të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Siç njofton KosovaPress, të shtunën, përpara lexuesve nga Gjakova, u promovua libri Buxhovi, “Kosova”, në tri vëllime: Antika dhe Mesjeta, Perandoria osmane dhe Nga konferenca e Londrës deri te Protektorati ndërkombëtar.
Buxhovi është autori që duke kombinuar dijen dhe përvojën, teorinë dhe empirinë, më këtë vëllim ofron një analizë politike të Kosovës mes shekullit XIX dhe atij XX, u shprehën pjesëmarrësit në promovimin e librit “Kosova”.
“Historia është shkencë konkrete që merret me etninë në kohë të caktuar edhe në vend të caktuar, për arsye se kjo është një çështje konkrete, që e ka çështjen e hapësirës dhe të kohës”, u shpreh, me këtë rast, Masar Rizvanolli, kryetar i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova” nga Gjakova.
Ndërkaq, i pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, i cili tha se vetëm në liri mund ta mbrosh vetveten, gjenezën dhe shkrimin, kurse shkrimi e zbulon të vërtetën.
Autori i librit, Jusuf Buxhovi, theksoi se nuk mendon se në librin e tij është thënë gjithçka, por ka vend edhe për rishikim të historiografisë dhe plotësimit të saj me fakte të reja.
“Unë do të paraqes vetëm tri perceptime të mia rreth historisë, kohës dhe hapësirës. Thonë se kush nuk ka të kaluar, nuk ka të tashme, nuk ka të ardhme. Te shqiptarët arsyet për një qasje të tillë janë edhe më të mëdha. Sepse shqiptarët janë ndër popujt më të lashtë, por i cili me të drejtë konsiderohet bartës i qytetërimit. Këtë nuk e kam zbuluar unë por historianë botërorë, gjermanë, bile edhe ata serbë. Prandaj nuk kemi kurrfarë arsye që t’i frikësohemi bashkimit. Shqiptarët si pasardhës të pellazgëve, dardanëve, ilirëve, arbërve e kanë këtë komponent që kjo duhet në na nderojë dhe të na bëjë përgjegjës për veprimet tona”, tha Buxhovi në promovimin e librit të tij, i cili është mbështetur nga Shoqata e Intelektualëve ‘Jakova’ dhe kryetari i Kuvendit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj.
Libri ‘Kosova’ i historianit Jusuf Buxhovi, i botuar para pak muajsh, është pritur mirë nga lexuesit shqiptarë kudo, pasi që është promovuar në të gjitha trevat shqiptare si dhe brenda një kohe të shkurtër është shitur në mijëra kopje, gjë që ndodh shumë rrallë me libra të tjerë që botohen në Kosovë.