E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkimi në lutje, misioni i Atit të Shenjtë në Lindjen e Mesme

Në audiencën e përgjithshme, mesazhi i Benediktit XVI u është drejtuar jordanezëve, izraelitëve e palestinezëve, duke përsëritur se pret me padurim ardhjen mes tyre, duke u lutur për paqe në Tokën e Shenjtë

“Pres me padurim ditën, kur do të jem mes jush, duke uruar që lutja jonë e impenjimi ynë të sjellin paqen në Tokën e Shenjtë”. Janë fjalët me të cilat Benedikti XVI përfundoi audiencën e djeshme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, dy ditë para fillimit të shtegtimit të tij apostolik në Viset më të shenjta të fesë së krishterë. Gjatë katekizmit, Papa u paraqiti besimtarëve figurën e një teologu të madh, që jetoi në shekullin VIII pas Krishtit, Gjon Damashenin, i cili shkroi disa nga faqet më të rëndësishme kushtuar kultit të ikonave. Shprehja e padurimit për udhëtimin e afërt, ka qenë në gojën e Benediktit XVI në të gjitha takimet, mbajtur këto ditë, që i paraprijnë nisjes për në Tokën Shenjte. E përsëriti edhe në audiencën e sotme të përgjithshme, duke dashur të ndajë me të gjithë, ndjenjat me të cilat përgatitet për shtegtimin e madh. “Dua të shfrytëzoj rastin, përmes radios e transmetimit të drejtpërdrejtë televiziv – tha Ati i Shenjtë në mesazhin e tij përfundimtar – për t’i përshëndetur të gjithë popujt e këtyre trojeve: Pres me padurim të jem me ju e të ndaj me ju synimet e shpresat tuaja, por edhe dhimbjen tuaj e luftërat tuaja. Vij mes jush si shtegtar i paqes. Qëllimi im kryesor është të vizitoj viset e shenjtëruara nga jeta e Jezusit e të lutem për dhuratën e paqes e të bashkimit, për familjet tuaja e të gjithë ata, për të cilët Toka Shenjte e Lindja e Mesme përfaqësojnë shtëpinë”. Nënvizoi edhe hapat vigane që janë bërë në dialogun e në shkëmbimin kulturor me hebrenjtë e myslimanët, me të cilët Benedikti XVI do të takohet gjatë shtegtimit të tij të afërt apostolik. E përfundoi mesazhin me këtë urim, drejtuar në mënyrë të posaçme katolikëve të zonës: Ju kërkoj të bashkoheni me mua në lutje, që vizita të sjellë shumë fryt për jetën shpirtërore e civile të të gjithë atyre, që banojnë në Tokën e Shenjtë. E uroj që të gjithë ta lavdërojmë Zotin për mirësinë e tij. Të gjithë të jemi njerëz të shpresës. Të gjithë, të vendosur në dëshirën e në përpjekjet tona për paqen!”. Lindjes së Mesme, e pikërisht Damaskut, i përket edhe Gjon Damasheni, murg e teolog i shekujve të parë të Kishës, që Benedikti XVI e paraqiti si shembull gjatë takimit të sotëm me besimtarët. Edhe ai, si shumë të tjerë, që jetuan në epokën e tij, zgjodhi jetën e manastirit, përpara jetës së oborrit mbretëror. E edhe ai, si shumë anëtarë të tjerë të hjerarkisë, luftoi, në gjysmën e viteve shtatëqind pas Krishtit, kundër ndalimit, me ngjyrime paratestamentare, të besimtarëve për të nderuar ikonat shenjte: “Gjon Damasheni qe ndër të parët që bëri dallimin ndërmjet adhurimit e nderimit të figurave në kultin publik e privat: mund të adhurohet shpirtërisht vetëm Zoti, ndërsa ikonat mund të përdoren për t’iu drejtuar atij, që paraqitet në vetë figurën”. Në homelitë e tij kushtuar kësaj çështjeje – shpjegoi Papa – Gjon Damasheni përdor argumente të pasura me përfytyrime mahnitëse. “Nuk adhuroj materien – pohon ndërmjet tjerash teologu i lashtë – por krijuesin e materies”. “A s’është thua materie druri i kryqit, tri herë i lum? .. E boja e shkrimit si dhe vetë libri i shenjtë i Ungjillit, a nuk është materie? Elteri shëlbues, që na jep bukën e jetës, s’është thua materie? … E, para së gjithash, a nuk janë materie korpi e gjaku i Zotit? O duhet të mohosh karakterin e shenjtë të gjithë këtyre sendeve, ose t’i lejosh traditës së Kishës nderimin e figurave që paraqesin Zotin e miqtë e Zotit”.
Në lidhje me këtë ide tejet të rëndësishme – vijoi Benedikti XVI – Gjon Damasheni e shikon edhe nderimin e shenjtorëve, me bindjen se shenjtorët e krishterë, që u bënë pjesëtarë të ringjalljes së Krishtit, nuk mund të konsiderohen thjeshtë si të vdekur. E pastaj – vërejti Papa - vetë misteri i mishërimit është shembulli më i lartë, që na bind se materia, apo lënda, bëhet ‘banesa e Hyjit’. E këtë koncept Benedikti XVI e shprehu edhe një herë me fjalët e Gjon Damashenit: “E kështu biri i Hyjit, ndonëse gjithnjë në formën e Zotit, uli qiejt e zbriti.. pranë shërbëtorëve të tij… duke bërë më të renë ndërmjet të gjitha gjërave, gjënë e vetme të re nën këtë diell, përmes së cilës shprehu vërtetë pushtetin e pafundmë të Hyjit”.
Atë Picabala: Udhëtimi i Papës, inkurajim i madh për bashkësinë e vogël të Tokës së Shenjtë/Pas dy ditësh pra, Papa do të niset për në Tokën Shenjte: një shtegtim, që në tetë ditë, do ta çojë në Jordani, Izrael e në Territoret palestineze. Bashkësia katolike e vendit e pret me padurim, siç tregon në mikrofonin e Radio Vatikanit, Rojtari i Tokës së Shenjte, françeskani atë Pierbatista Picabala: Është një udhëtim i menduar pikë së pari për to, pikërisht për këto bashkësi që vuajnë, që ndjehen pak të izoluara. Prandaj, kjo vizitë është një moment shumë i fortë dhe i rëndësishëm, pasi është një inkurajim i madh dhe një thirrje për Kishën universale, të shikojë drejt Tokës Shenjte, të kujtohet për këto bashkësi. Të krishterët e Tokës Shenjte mendojnë se udhëtimi i Papës mund të shfrytëzohet për qëllime politike… Instrumentalizimi në këtë vend është gjithnjë i lehtë, por nëse do të na duhej të bënim gjithë këto llogari, nuk do të organizonim asgjë. Prandaj, Papa do të vijë me siguri, me lirinë për ta bërë këtë gjest të rëndësishëm për bashkësitë e krishtera, pa përjashtuar aspektin ndërfetar e as atë politik. Nëse pastaj do të ketë instrumentalizime, nuk duhet të shqetësohemi. Lidhur me zhbllokimin e çështjes së vizave për rregulltarët e Tokës së Shenjte, sidomos për ata që vijnë nga vendet arabe, ai thotë se gjendja është me periudha. “Tani, në këtë çast, ndoshta edhe për shkak të vizitës së Papës, ka lehtësira, por akoma nuk kemi një procedurë të qartë. Megjithatë, kohët e fundit, lejet e qëndrimit na i kanë dhënë”. Lidhur me eksodin e të krishterëve nga Toka e Shenjtë, ai e cilëson atë një plagë e hapur. “Po, eksodi është plagë e hapur, sidomos në Territoret palestineze, por edhe këtu në Jeruzalem. Rojtaria është aktive në disa fronte: së pari, në krijimin e vendeve të punës, duke dhënë mundësi pune në shkolla e në aktivitete të vogla tregtare për të krishterët. Pastaj, në ndërtimin e shtëpive: si Rojtari, jemi këtu prej shekujsh e kemi arritur të blejmë shumë terrene, mbi të cilat përpiqemi të ndërtojmë shtëpi me çmim të arësyeshëm për të krishterët, pasi ky është një problem shumë i rëndë për ta, sidomos në Jeruzalem. Përpiqemi pra, t’i lehtësojmë qëndrimin në këtë vend. E pastaj, i ndihmojmë përmes formimit, për sa është e mundur.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›