Basketboll Meshkuj/Teuta, sukses i vështirë!

Teuta ka hedhur hapin e parë drejt vajtjes në finalen për titull kampion në basketboll për meshkuj, teksa të mërkurën pasdite, në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit, ka mundur me shumë vështirësi Vllazninë, 94-90. Një ndeshje, e cila ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Shkodranët e kanë nisur mirë, ndërsa kanë patur dhe një shkëputje në pikë.
Por Teuta, me shumë vështirësi, arrin të përmbysë dhe të fitojë periodën e parë, 24-23. Shkodranët nuk e ulin ritmin. Fitojnë periodën e dytë 22-14 dhe në pushim janë ata në avantazh, 45-38. Madje dhe pas periodës së tretë, pavarësisht se Teuta ka fituar 26-22, janë përsëri ata në avantazh, 64-67.
Përmbysja ndodh në të katërtën, të cilën durrsakët e fitojnë 30-23 dhe krejt ndeshjen 94-90. Ndërkohë Goga Basket ka fituar ndaj Tiranës, 89-67, ndërsa Partizani në Play-Out ka mundur Dinamon, 78-71. Ndeshjet e kthimit luhen të shtunën.