Delvinë, një sërë investimesh për vitin 2021

Në bashkinë e Delvinës kanë përfunduar gjatë kësaj periudhe një sërë investimesh për përmirësimin e jetesës së banorëve si ai i rrjetit të ujësjellësit që shumë shpejt pritet të vihet në funksion, përfundimi i rrugës që lidh fshatin Blerimas me qytetin etj. Këta investime do të ndikojnë jo vetëm tek banorët por edhe tek ata që këtë vit pritet të vizitojnë Delvinën.
“Lajmi më i mirë është se ka përfunduar investimi për rrjetin e ujësjellësit në Delvinë dhe besoj dhe shpresoj se brenda kësaj jave, do të vihet në funksion duke i dhënë fund një herë e mirë një problemi të tejzgjatur që ne kemi patur në qytet për furnizimin me ujë të pijshëm. Krahas ndërtimit të rrjetit të ujësjellësit, ne kemi përfunduar edhe rrugën Blerimas-Delvinë. Po kështu kemi kryer edhe një investim të shumëpritur edhe për rrugën Fushëvëri-Kalasë .Tashmë edhe në këtë zonë të largët të bashkisë Delvinë, mund të shkosh shumë shpejt dhe fare mirë. Edhe këtë zonë mund ta shndërrojmë në një zonë me mjaft benefite për banorët, në një atraksion turistik”, shprehet kryetarja Qilimi.
Sipas kryetares së bashkisë së Delvinës, gjatë vitit 2021 kjo bashki do të jetë në qendër të vëmëndjes jo vetëm të pushtetit vendor por edhe atij qëndror. Projekti i ndërtimit të një banese sociale për të pastrehët dhe investimet kryesisht në rrugët që lidhin fshatrat me qytetin, do të jenë në fokus për tu realizuar këtë vit me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të zonës, shprehet ajo.
“Patjetër që në Delvinë do të ketë projekte të rinj pasi edhe Delvina është në qendër të vëmendjes qoftë nga pushtetiqendror, qoftë nga ai vendor . Ne shumë shpejt do të fillojmë atë investim të shumëpritur, ndërtimin e banesës sociale. Do të jetë një pallat me 30 apartamente që do të strehojë rreth 30 familje të pastreha. Ky do të jetë një investim modern me kushte mjaft të mirë, duke filluar që nga parkimi nëntokësor dhe deri tek lulishtja dhe këndi i lojrave që do të jetë për fëmijët në sheshin e këtij pallati. Do të kemi edhe disa projekte të tjerë në Delvinë. U kemi dhënë fjalën banorëve edhe për një segment rruge, rrugën e Dratikoit edhe aty presim shumë shpejt të ndërtojmë rrugë, sheshe dhe trotuare, pasi janë të domosdoshme pë banorët. Gjithashtu jemi duke punuar për arredimin e muzeut të qytetit. Ka mbaruar investimi që është bërë nga qarku i Vlorës për ndërtesën, mjedisi fizik është gati. Investime të tjerë presim edhe nga pushteti qendror”, ka pohuar Qilimi.