E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Bastardët e palavdishëm"

"Nuk është prej atyre filmave mbi Luftën e Dytë Botërore që i pëlqenin babait tënd", thotë Kuentin Tarantino në një qosh rruge të Francës, i cili është zhveshur nga reklamat e shekullit XXI për t‘u kthyer në sheshxhirimi për filmin "Bastardët e Palavdishëm", puna e tij më e fundit, që ka në qendër një bandë ushtarësh hebrenj amerikanë të përfshirë në një hakmarrje të pamëshirshme ndaj nazistëve.

Megjithëse në pjesën më të madhe është xhiruar në Potsdam të Gjermanisë, nëntitulli i filmit është "Një herë e një kohë në Francën e pushtuar nga nazistët". Por iu desh patjetër të xhironte edhe në disa rrugë të Francës për t‘i krijuar publikut idenë se ngjarjet zhvilloheshin pikërisht në këtë shtet. "Na duhej një skenë për të bindur audiencën se gjendeshim në Francë", thotë.

"Bastardët e palavdishëm", premiera e të cilit do luhet në festivalin e Kanës më 20 maj, është filmi i parë i Tarantinos që prej "Antivdekje"-s, gjysma e dytë e "Grindhouse", të cilin e drejtoi bashkë me Robert Rodriguez - dhe që rezultoi një dështim për sa u përket arkëtimeve.

Vetë Tarantino e përkufizon filmin si "një tufë djemsh në një film aksion". Duke gjykuar nga skripti duhet të ketë dialogë pikantë, humor të pazakontë dhe, padyshim, atë dhunën e stilizuar që karakterizon të gjitha punët e tij. "Të thonë se duhet të realizosh një film dhe unë jam njeri i kinemasë, kështu që mendoj menjëherë në nivele zhanresh", thotë. "Kështu që ti ke një ide të mirë dhe nis të punosh dhe ndodh shumë shpesh që kur ke përfunduar ajo që sheh nuk ngjan fare me atë që kishte në mendje fillimisht. Është thjesht shkëndija që ndez zjarrin".

Shkëndija që prodhoi "Bastardët e palavdishëm", ku luan Bred Pit, Dajen Kruger, Maik Majers, Eli Ruth dhe një listë e gjatë aktorësh të huaj, ka lindur shumë kohë më parë. Regjisori kujton se miqtë shumë vite më parë i thoshin se ndoshta do vijë një ditë që do të realizosh edhe ti një film me titull "Bastardët e palavdishëm", i realizuar në vitin 1978 nga Enzo Kastelari. "Por as që e kishin parë atë film. Epo, mirë qe titull i mrekullueshëm. Më pëlqen ai film, mos të keqkuptohemi, por nuk është përsëritje e tij", tha për filmin e vet. "Në ndarjen e çmimeve ‘Oskar‘ do konkurrojë në kategorinë e filmave origjinalë", shton me optimizëm.

Lorenc Bender, producenti i të gjithë filmave të Tarantinos me përjashtim të njërit tregon se u habit që artisti e kishte përfunduar skenarin e filmit që verën e kaluar dhe se kishte ndër mend të nxitonte për ta shfaqur në Kanë. "Çfarë nuk kam lexuar prej tij në këto vite, por mendja më thoshte se ishte diçka që nuk do ta bënte kurrë".

70 për qind e skenave të "Bastardëve të palavdishëm" është luajtur në gjermanisht dhe frëngjisht, e cila është një prej karakteristikave që e bënë këtë film të pazakontë. "Kur sheh në ekran gjermanë që flasin anglisht me aksent gjerman, tingëllon shumë pak origjinale", thotë Tarantino. "Dua që kjo të mos ndodhë në filmin tim". Shefat e kompanisë gjermane "Weinstein" tregojnë se nëntitrimi është përdorur gjerësisht në film dhe se regjisori kishte qenë tepër këmbëngulës për përdorimin e gjuhës origjinale.

Aktori gjerman, Daniel Bruhl, tregoi se qe pikërisht përqasja jokonvencionale e Tarantinos me historinë e dhimbshme të Gjermanisë ajo që i kishte pëlqyer më shumë në këtë film. "Jam kureshtar të shoh si do të pritet në Gjermani", thotë aktori 30-vjeçar, duke e klasifikuar "Bastardët e palavdishëm" në traditën e filmave si "Të jesh a të mos jesh" i Ernst Lubitsh (i vitit 1942) dhe të "Diktatorit të Madh", i Çarli Çaplin (viti 1940). "Nëse një komedi është e zgjuar dhe me përmbajtje, përbën një rrugë tepër legjitime për t‘u shprehur për Gjermaninë naziste, e cila qe për llogari të vet një shfaqje e madhe - dhe në rast se e mendoni hollë, edhe tepër qesharake".

Skenari është i mbushur me referenca filmash të tjerë e batuta dhe intriga ku përfshihen aktorë të njohur apo filma të famshëm. Jozef Gëbels, ministri i propagandës së Hitlerit, për shembull, portretizohet si shef tipik studioje filmike. "Njerëzit shkruajnë pa fund për filmat e llahtarshëm antisemitë", thotë Tarantino. "Por pjesa më e madhe e filmave të prodhuar prej tij qenë komedi dhe muzikale".

Bastardët - ushtarët hebrenj të filmit të cilët e marrin këtë nofkë nga nazistët - nuk ka nisur ende udhëtimin e tij drejt Parisit, por prania e tij mund të vërehet në rritjen e numrit të të rinjve të qethur sipas "modelit të bastardëve" (të shkurtra anash e pas koke dhe të gjata lart). "Bastardët nuk e kishin luksin të qenë ushtarë", thotë regjisori i famshëm. "Kishin detyrën të qenë luftëtarë, pasi po luftonin kundër një armiku që po përpiqej t‘i shfaroste nga faqja e dheut".

Kunetin Tarantino, i cili ka lindur në Tenesi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tregon se fantazitë e tij fëmijërore mbi hakmarrjen kishin më shumë në qendër organziatën famëkeqe Ku Kluks Klan. "Por është tamam e njëjta gjë", thotë. "Bastardët, me të mbaruar punë në Evropë, janë të lirë të nisen drejt jugut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e të merren me anëtarët e Ku Kluks Klanit. Dhe ajo është një tjetër histori e cila ia vlen të rrëfehet".

Për të mos përmendur një skenar mbi disa ushtarë afroamerikanë të mbetur pas vijave të armikut gjatë Luftës së Dytë Botërore. "E kam skenarin gjysmë të shkruar dhe jam i gatshëm ta realizojë në rast se ky film rezulton dështim", thotë Tarantino.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›