E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arti i blasfemuar kërkon publikun shqiptar

Në sajë të pasionit (dhe jo vetëm) të koreografit Gjergj Prevazi, para katër viteve në qytetin e Durrësit zuri udhë një lloj teatri tërësisht rishtar në mozaikun teatror shqiptar, i quajtur në botë Dance-Theatre. Pra, teatër i vallëzimit (po jo tamam), sepse me këtë term ne kuptojmë shpesh vetëm baletin. Ky lloj teatri, ende jo i pjekur dhe pa një përvojë shumëvjeçare në Shqipëri, ka nisur të rrënjëzohet në vitet 2000, por përpjekja dhe fillimet e tij nisin menjëherë pas viteve ‘90, kur edhe mundësia e aplikimeve u shfaq tashmë si një shpresë dhe vullnet për t‘u vetëshprehur. Gjergj Prevazi pra ka meritën e fillimtarit, por edhe të një "tutori" për ta përhapur këtë art të ri në mbarë viset shqiptare, duke krijuar shanset e njohjes, kultivimit, shkëmbimit të eksperiencave dhe garimit të trupave shqiptare me ato të huaja. Këtë synim ka ky festival. Doemos, si një bujtës i vonshëm në skenat tona, dikur i blasfemuar dhe i quajtur "modernist", danc-teatri shfaqet pra si një vallëzim jo tradicional, por i tjetërfartë, i formatit të ri, me të tjera shënjime koreografike, që ndonëse ruan thelbin e artit të vallëzimit si të tillë, ofron, përzien brenda vetes dhe bën pjesë integrale gjithëpo edhe elemente mirëfilli teatrore, përfshi këtu pantomimën, lëvizjet ritmike, gjestikulacionin ekspresiv, veprimin fizik e mimik; po ashtu elemente plotësuese aktoriale si vëmendjen, përqendrimin, fjalën, ritualin, gjestin e figurshëm, detajin dhe karakterizimin plastik. Përtej tyre, ky lloj teatri parapëlqen edhe praninë e imazhit kinematografik, ilustrimin zanor me një amalgamë tingujsh sa muzikorë po aq natyrorë, shpesh të trilluar, imagjinativë, surrealë, të sajuar nga manipulimet dhe deformimet në kompjuter. Nga elementet sugjestive të tij është shprehimësia. I ngjeshur, lakonik, dinamik, me natyrë sintetike, më fort i prirur drejt "gjetjeve" dhe metaforave, se sa drejt përshkrimeve, ai merr përsipër të risojë gjuhën e koreografisë përgjithësisht duke i dhënë asaj një tjetër nivel dhe shumë energji, rrjedhimisht shanse, modelime, konotacione, forma, gjakime dhe nuanca të tjetërfarta, duke e afruar më shumë me vrullimin e jetës përbri, me ndërdijen dhe flukset irracionale të njeriut. Ai e ka bërë më popullor dhe më modern vallëzimin e përpunuar. Pikërisht në hulli të tilla vijoi, si ngaherë për mbarë, Festivali Ndërkombëtar i Dance-Theatrit Modern Bashkëkohor në Durrës, në edicionin e tij të katërt, këtë fillim maji me 9 grupe valltarësh nga Izraeli, Kanadaja, Sllovenia, Greqia, Shqipëria, Italia, Hungaria. Pa u ndalur gjithkund me po të njëjtën vëmendje, s‘ke si lë pa përmendur performancën "Interface" të grupit "Kolben Dance Company" të Izraelit, e cila solli, më së pari, një cilësi të lartë vallëzimi, që përshkohej nga mesazhe humane të kohës për sot: komunikimi dhe problemet e tij ndër njerëzit e vetizoluar e të ngujuar në botën e tyre. Një botë hermetike. Falë energjisë së lëvizjeve që shkonin në vështirësi jo lehtë të tejkalueshme, falë një bulbi ideor të rrokshëm, falë një mizanskene të lexueshme koreografike në dyshe përplotësuese dhe harmonike, falë shkathtësisë dhe zhdërvjelltësisë së balerinëve-aktorë, ne shijuam prej kësaj performance veprimin dhe gjestin e fortë, kërcimin hovçues, energjinë dhe dinamikën, veçanërisht te duetet, alternimet e tyre si dhe te shfrytëzimi maksimal i hapësirës. Amir Kolben, koreograf, balerin dhe regjisor, me aktivitet si solist i trupës së Baletit të Izraelit dhe Freiburgut në Gjermani, e ka frymëzuar trupën për një art që kërkon aftësi të larta fizike, duke mëtuar partneritet dhe marrëdhënie të shumëfishta midis kërcimtarëve, qartësi në spikamat e tyre ideore, lëvizje skenike konotative të bashkëshoqëruara më tej nga format e gjalla, teatrin, muzikën "live", imazhet filmike. Për spektatorin erdhi e qashtër ideja e ndërkomunikimit, e një bote që veçse zhvillohet në eter, me mjediset e reja sociale postmoderne të marrëdhënies së ndërmjetësuar humane përmes teknologjive dixhitale, kur shpesh virtualiteti i këtij lloj komunikimi dhe kësaj marrëdhënieje nuk e tejkalon dhe as e sfidon dot vetminë tonë pikëlluese, nevojën këlthitëse për partneritet fizik, shpesh as mashtrimin që e pranojmë bujarisht, as butaforinë e raportit seksual, tjetërsimin, mërzinë, vanitetin etj. Koreografia e Paul Ibey, "Coelacanth", nga Kanadaja, kishte një fillesë interesante dhe të mprehtë, procesin evolutiv të qenies njerëzore nga gjendja amfibe drejt frymorit tokësor, një proces i mundimshëm ky, përmes vuajtjes, lëngatës, zvarritjes, përshtatjes me gravitetin e tokës. Doemos synimi dhe vetë gjetja e kësaj performance që zhdrivillohej përmes një përqendrimi të lartë vëmendjeje dhe lëvizjeve të ngadalta, mund të pasurohej nga gjetjet dhe metaforat, për të dhënë ca më shumë informacion estetik, sikurse mund të përmblidhej edhe më, duke e shmangur zgjatjen, ritmin e ulët, monotoninë dhe krijimin e hapësirave të pambushura. Mangësi ritmi dhe shkathtësie kishte edhe performanca sllovene, "Sky", paçka se ajo rrekej të sillte te ne ndjesinë e boshit që nyjëtohet në zgafellën shpirtërore të njeriut të kohës së shpejtësive, kur rëndom vetmia dhe zhgënjimi, të pasuara nga dyshimi, kaplojnë trurin me pamundësinë e realizimit të aspiratave tona për të "fluturuar" në qiejt e lumturisë. "Cout Out" e Bojan Jablanovec e Sllovenisë dalloi më fort për një tekst interesant, mbushur me zbulime për dikotomitë dhe shpirtin kontradiktor të qenies, në rrekjen e saj për të gjetur drejtpeshimin midis Zotit, të Vërtetës, Virtytit, Mundësisë nga njëra anë dhe indominimit trupor, iluzionit, vesit, pornos nga ana tjetër. Shfaqja bënte thirrje për sinqeritet, vetjakësi, origjinalitet dhe identitet kundër shtirjes, kodeve të ngrira, tjetërsimit, komplekseve të llojllojta dhe konvencioneve morale kinse përparimtare, në fakt frenuese. Por tepria e fjalës këtë shfaqje e mpaku fort duke ia zbehur ritmin, energjinë, lëvizjen dhe dinamikën me pozicionet statike dhe një mizanskenë të thjeshtëzuar. Sado që pretendimi ideor i performancës tjetër "Private score" e QuaLiBo nga Italia mundohej të transformohej në një realitet artistik koreografik dhe teatror, gjithsesi ajo nuk mundi të sjellë pikërisht nevojën që ka njeriu për të ekspozuar, qoftë edhe para vetes, kolegut, partnerit, pasqyrës apo fantazisë visaret e trupit të vet, dhe prej këndej visaret e shpirtit të plagosur nga një rrethanë armiqësore. Asociacioni i prostituimit deklinohet, zhbëhet, shpërndërrohet duke bartur përsipri nevojën e një çlirimi nga ngërthi që shkaktohet prej kodeve dhe normave të vdekura. Mund të thuhet se elementet teatrore ishin më të pranishme dhe më aktive në performimin e vajzave-balerina, dhe më pak tek ato të vallëzimit dhe figuracionit që mund të krijohej syresh. Nga pikat me më shumë dritë në këtë festival ishte shfaqja "Lukja" e "Albania Dance&Theatre Company" e Shqipërisë me koreograf Gjergj Prevazin. Qysh në krye të herës e çmova këtë shfaqje si një sukses të merituar. Madje-madje m‘u duk ndër punët më të lumnueshme, jo enkas të Gjergjit, por ca më tutje tij. E tëra ishte si një kurm i hijshëm estetik, koreografik, e pllenuar me ide të qarta dhe të lexueshme, me vegime, dritë-hije dhe dinamizëm. Lëvizja dhe krejt trupi i valltareve në shtjellën e tyre nuk kryente vetëm një aktrim koreografik teknik e formal, atë që mund ta quajmë mjeshtëri, bukuri dhe hir skenik, por bëhej pjesë e natyrshme e shprehimësisë së mendimit koreografik të Gj. Prevazit, bartte ide të caktuara, krijonte asociacione aq të dobishme për t‘u dhënë atyre, pra trupit dhe lëvizjeve, një "gjuhë". Pikërisht kjo "gjuhë" gjeti morfologjinë e saj vizuale tek, përmes dhe falë vallëzimit të bukur të Sueda Hoxhës, Elton Çefës, Milena Nurkës, Aledia Kondajt, Filomena Garganos, Fatjon Sulstarovës. Trupat dhe lëvizjet e tyre "folën". Paçka se shtysa filologjike e kësaj performance vinte prej tregimit të njohur të Migjenit, "Historia e njanës nga ato", spektatori thuajse nuk kishte nevojë për ndërmjetësimin e një rezymeje (posteri) hyrëse para shfaqjes. Jo. Mendimi vezullonte aty. Ti e shihje atë. Ai gati sikur shqiptohej. Ndaj edhe fjala ish e tepërt, sepse trupi dhe lëvizja qenë bërë "fjalë". Ato rindërtuan "logosin" e tregimit të mirënjohur të Migjenit, duke lëshuar një tufë drite bash mu në bulbin e tij: te shpërdorimi i dashurisë, i martesës, i trupit, i shpirtit, kur djajtë e varfërisë, prostitucionit, parasë, dhunës, bjerrjes morale, dëshpërimit të tejcaktë dhe teprive prej naivitetit, e kthejnë vetë ëndrrën dhe bukurinë e pafajshme femërore në zhgjëndërr, makth dhe shëmti. Një teknikë të lartë dhe një dinamikë entuziaste na dha valltari hungarez Ferenc Fehert, në performancën e tij "Orpheus Marathon". Lëvizjet e tij të ngjallnin përshtypjen e një krimbi në stërmundimin për të çarë tokën, ashtu si Orfeu në Had (ferr) për të gjetur Euridikën e tij të vdekur. Gjithçka ishte thuajse surreale, me një gjuhë moderne, ku lëvizja perceptohej jo vetëm në ritmin dhe drithërimën e saj, por edhe në paralelet që ajo hiqte me aventurën heroike të Orfeut, me dashurinë e tij të pashtershme për të takuar dhe shpëtuar Euridiken. Kishte aty edhe një farë "movizmi", me "shëmtimin" e qëllimtë të lëvizjes, gjestit, rrotullimit të këmbëve si tryelë, zvarritjes, duke mbërritur në apoteozën groteske të luajtjes në një violinë (lira orfejane), me harkun e bërë copë-copë, duke lëshuar tinguj të hallakatur, vajtimtarë, aritmik, kakofonik, ashtu sikurse vetë Orfeu pat rënë në gjendjen haluçinante në prag-Hadin, teksa ktheu kokën për të parë Euridiken e tij, e cila sakaq u zhduk në terr. Gjuha teatrore koreografike që solli ky balerin-aktor ishte një përvojë e vyer për valltarët e rinj shqiptarë. Ajo rrezatonte një talent dhe një punë të vullnetshme, me mësimin se si pasioni dhe dashuria për artin mund të frymëzojnë dhe të sjellin rezultate të larta. Veçse përmes një pune këmbëngulëse dhe provave pa fund arti rilind nga vetvetja. Baleti "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" nga Teatri i Operës dhe Baletit në Tiranë, mbështetur në romanin homonim të I. Kadaresë, me muzikë të Nikolla Zoraqit dhe të redaktuar nga Zhani Ciko, me koreografi të Agron Aliajt, solli përpjekjen për të risuar gjithsesi gjuhën koreografike tradicionaliste, duke pranuar aty modelime interesante të vallëzimit, krijimin e një mizanskene me qasje teatrore, gjetja skenografike në trajtë piramidash (piramidat e eshtrave të ushtarëve të vrarë në luftërat e padrejta). Ajo çka më tërhoqi te kjo shfaqje qenë disa gjetje, posaçërisht rënia e kockave nga sipër mbi një tog balte si varr i hapur, ridalja e vajzës së Nicës nga pusi ku qe mbytur me skeletin e kolonelit Z sipër saj (një skenë vërtet ngjethëse, e gjetur, ekspresive, si një vazhdim përdhunimi makabër i të vdekurit ndaj të gjallës, veçse tashmë në invers, e gjalla ishte vajza e bukur, kurse i vdekuri ishte skeleti si akrep i kolonelit fashist). Interesante ishte edhe dueti midis Nicës dhe Gjeneralit, me zhytjen e kokës së saj mbi gjoksin-barkun e tij, ashtu si demi i përgjakur shtyn, shpon dhe vret toreadorin kapadai. Por, sakaq, më duhet të them se shfaqja ishte e ngathët, e papërpunuar. Balerinët nuk e kishin atë hijeshi të lëvizjes, atë energji, atë plastikë, ato fluturime a ngërthe, ato vrullime, që do të duheshin për të shprehur dimensionin tragjik të atij subjekti. Më shumë masa e balerinëve qe konceptuar si diçka amorfe, e zvargur, pa shumë individualitet. Hyrja ishte tejet e zgjatur dhe e përsëritur, po kështu dialogët midis Gjeneralit dhe Priftit, Gjeneralit dhe të tjerëve. Futja e valles popullore në dasmë, jo se nuk është e pranueshme (si inkoherencë stilistike), por ajo qe e parealizueshme, pa nerv, pa dramacitetin dhe konfliktin që bart. Ajo nuk e krijoi kontrastin e nevojshëm për të shpërfaqur botën shqiptare dhe për të realizuar kontrapunktin me ngritjen e Gjeneralit në valle dhe përplasjen e tij me Nicën. Inversi as që u mor vesh. Elementi tragjik ishte thuajse i mekur. Veprimi që kryejnë fëmijët në fund me eshtrat e Gjeneralit si "revole", duket një ide sfiduese, që e shndërron mallkimin në një lodër kalamajsh, në indiferencë, në gëzim, në shpërfillje, duke e zhvlerësuar vetë praninë e krimit dhe zymtimin historik që vinte prej tij si makth dhe kujtesë e frikshme. Por, mbase, fill pas zvarritjes së vajzës së Nicës me skeletin e kolonelit Z mbi gjoks, shfaqja mund të mbyllej pikërisht me rënien e kockave të këtij koloneli nga sipër, si një ndëshkim, si një zhbërje, si një makth, si një plagë dhe varr i hapur, me apelin për qëndresë, paçka se realiteti fatal mbetet po aty, në këmbët tona, si një tragjedi e hershme dhe e gjithhershme. Në fjalë të fundit, ndonëse shfaqja pati disa gjetje me barsje ideore, nuk arriti dot të përfaqësojë nivelin e epërm që kjo trupë ka arritur më parë dhe, sidomos, duhet të arrijë sot e ngamot.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›