Basti i fituar i RTSH, transmetimi i vizitës së Romës vendosi një etalon të ri për ekranet shqiptare

Ishte cilësuar që në krye të herës si një eveniment i veçantë për një “Special One”. Miqësorja e Partizanit me Romën, që u luajt të shtunën dhe u fitua nga skuadra italiane me rezultatin 2-1, ishte e veçantë për shumë arsye.
E veçantë sepse riktheu në Tiranë Zhoze Murinjon, i njohur ndryshe me nofkën “Speciali” (“The Special One”), i cili nuk e fshehu se Tirana ka një vend të veçantë në zemrën e tij. I veçantë, sepse si kurrë më parë, falë sensibilizimit publik që Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, një stadium si “Arena Kombëtare” u mbush si asnjëherë tjetër për një miqësore, i veçantë sepse vendosi një etalon të ri sa u përket përcjelljes së evenimenteve të tilla sportive nga transmetuesi publik.
I veçantë sepse Radio-Televizioni Shqiptar solli gjithçka nga rikthimi i Romës në Tiranë, aty ku 15 muaj më parë fitoi trofeun e Ligës së Konferencës, duke qenë në çdo hap të skuadrës italiane në tokën shqiptare, nga pritja në aeroportin e Rinasit, tek qëndrimi në kryeqytet, me emisionin e posaçëm para dhe pas ndeshjes dhe, padyshim, edhe me vetë transmetimin e ndeshjes, që ishte i një niveli si asnjëherë më parë.
Në fakt, gjithçka ka nisur nga stacioni i parë i këtij rrugëtimi të skuadrës romane, nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” i Tiranës, aty ku Radio-Televizioni Shqiptar ka qenë me lidhje të herëpashershme të drejtpërdrejta, si në pjesën e jashtme fillimisht, ashtu edhe më pas nga pista, aty ku rreth orës 12:20 ka zbritur edhe avioni që ka sjellë delegacionin prej 69 personash.
Natyrisht, qendra e vëmendjes ka qenë trajneri i njohur botëror, i cili ka folur ekskluzivisht për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, duke pohuar se Shqipëria dhe kryeqyteti i saj e kanë skalitur emrin e tyre në kujtesën historike të klubit të Romës, por edhe në atë personale të Murinjos, i cili, për më tepër, rikthehet të takojë një mik të vjetër.
Më pas, rrugëtimi i skuadrës së Romës ka vijuar drejt kryeqytetit, Tiranës, aty ku është akomoduar në një nga hotelet pranë Stadiumit “Arena Kombëtare”, dhe Radio-Televizioni Shqiptar ka qenë aty, me lidhje të herëpashershme me gazetarët, qoftë në pika të ndryshme të kryeqytetit, si në edicionet e lajmeve të RTSH 1 dhe RTSH 24, por edhe në bisedat në studion e RTSH 24, aty ku të ftuar të ndryshëm, ish-futbollistë që kanë bërë emër me Partizanin, por edhe gazetarë, të vjetër e të rinj, kanë përcjellë emocionet e tyre në prag të këtij takimi. Dhe lajtmotivi që përshkonte fjalët e tyre ishte fakti se kjo miqësore luksi ishte më tepër, shumë më tepër se thjesht një ndeshje futbolli.
Mbërritja fillimisht e Partizanit, e më pas edhe e Romës në Stadiumin “Arena Kombëtare”, ia kanë lënë radhën emisionit të posaçëm në studion e improvizuar të Radio-Televizionit Shqiptar në fushën e blertë, aty ku prezantuesja Hygerta Sako dhe dy të ftuarit e saj, dy ish-futbollistët e njohur Redi Jupi dhe Ledjo Pano, kanë përcjellë për shikuesit atmosferën në stadium, ndërsa nuk kanë munguar intervistat ekskluzive me personazhe të spikatur të futbollit në vend, qoftë presidentë apo drejtues klubesh, qoftë ish-futbollistë të njohur të Partizanit, deri edhe me trajnerin e Kombëtares, Silvinjon.
Më pas, radhën e ka patur ajo që padyshim ishte qershia mbi tortë, ndeshja, e cila ka ardhur për shikuesit e Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar në cilësinë më të lartë të zërit dhe figurës, por edhe me një paraqitje të re dhe të freskët grafike, të njëjtë me standardet më të larta ndërkombëtare, teksa RTSH prodhoi sinjalin për transmetim edhe për llogari të rrjetit prestigjioz ndërkombëtar, Sky Sport Italia dhe Sky Sport International.
Pas ndeshjes ka vijuar sërish emisioni i posaçëm me Sakon dhe të ftuarit e saj, por edhe me intervista ekskluzive, ku protagonistët e ndeshjes, futbollisti i Romës, Beloti, por edhe trajneri i Partizanit, Zoran Zekiç, dhe futbollisti Tedi Cara, kanë rrëfyer përshtypjet dhe emocionet e tyre.
Përtej asaj që u pa në ekranin e televizorit, e gjithë kjo maratonë e së shtunës nuk do të ishte e mundur pa armatën masive të atyre që punojnë në prapaskenë, të drejtuesve, koordinatorëve dhe regjisorëve, të operatorëve të figurës dhe të zërit, të teknikëve të transmetimit, të pjesës së logjistikës mbështetëse, të cilët ishin impenjuar maksimalisht dhe përgjatë gjithë ditës, për të mundësuar një transmetim si kurrë më parë, që vendosi një standard të ri, duke synuar të bëhet edhe si pikënisja e një ere të re në transmetimet sportive në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar dhe jo vetëm.
Ne besojmë se Radio-Televizioni Shqiptar e fitoi bastin që i kishte vënë vetes dhe këtë na e vërtetuan edhe shikuesit, teksa ekrani i vetëm ku sytë e shqiptarëve ishin përgjatë gjithë ditës së shtunë, por sidomos gjatë orëve të mbrëmjes ishte ai i transmetuesit publik. Dhe gjithçka që mund t’ju premtojmë është se në vijim mund t’ju ofrojmë gjithnjë e më tepër.
Gazetar: Altin Kodra
/RTSH/