Bastisja e banesave të Ahmetajt, Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e mospranimit të kërkesës së ish- zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj për mos marrjen në konsideratë në dy shkallët e gjyqësorit, Apelit të Posaçëm dhe Gjykatës së Lartë të ankimit mbi kontrollet e banesave që BKH bëri për llogari të hetimeve për fshehje të pasurisë nga ai.
Ahmetaj kërkon pavlefshmëri të këtyre kontrolleve që do të sillnin edhe pavlefshmëri të provave të gjetura siç është edhe telefoni celular nga ku u zbulua lidhja e hershme mes tij dhe përfituesit të inceneratorit të Elbasanit.
Por mbledhja e gjyqtarëve ka vendosur të mos e kalojë në seancë për shqyrtim kërkesën e tij me argumentin se nuk është detyrë e kushtetuese të interpretojë ligjin për qëllime të procesit gjyqësor që zhvillohet në gjykatat e juridiksionit të zakonshëm, pasi ajo nuk vepron si gjykatë e shkallës së katërt.
“Interpretimi i GJKKO nëse kontrolli i banesës së deputetit në këtë rast, është legjitim, ose jo, i takon vetëm Gjykatës” argumenton Kushtetuesja, “përveç rasteve kur ai është arbritrat ose i paarsyeshëm” thuhet më tej.
Gjykata Kushtetuese vlerëson në vendim se interpretimi i ligjit nga Gjykata e Juridiksionit të zakonshëm nuk është arbritrat ose haptazi i paarsyeshëm që tu ketë cënuar kërkuesve të drejtat e aksesit dhe të ankimit efektiv.
Arben Ahmetaj ndodhet në kërkim ndërkombëtar prej më shumë se gjashtë muaj. Mungesa e tij në seancat plenare solli edhe heqjen e mandatit si deputet. Ish zyrtari i lartë do të gjykohet për korrupsion, fshehje të pasurisë, dhe pastrim të parave.
RTSH