Bastisje në QKUK
Dy mijë filma të aparaturës për fotografim të thellë-CT dhe gati 200 litra vaj i llojit Barium që ndodhen në Klinikën e Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë bërë cak i hetimeve nga Njësia për Krime Ekonomike e Policisë së Kosovës.
Këta filma dhe vaji dyshohen se janë me afat të skaduar që prej disa vjetësh, ndërkohë që askush nuk ka shpjeguar se si ato pajisje të shtrenjta janë bërë të papërdorshme e kanë mbetur aty, kur pacientët presin me muaj të tërë për të bërë një fotografim të tillë.
Burime të Expressit kanë konfirmuar të martën mbylljen e një zyre nga hetuesit e kësaj Njësie të Policisë, ku ndodhen filmat dhe vaji, për shkak se aksioni në mbledhjen e dëshmive është planifikuar të vazhdojë edhe të mërkurën.
Rreth mesditës të së martës, Klinika e Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare ka qenë adresa më e re ku pjesëtarë të Njësisë për Krime Ekonomike kanë hulumtuar, me dyshimin e bazuar se aty mund të ketë parregullsi.
Burime të Expressit nga policia e kanë konfirmuar këtë kontroll duke thënë se hetimet do të vazhdojnë edhe më tej, pasi parregullsitë aty dyshohet se ka kohë që kanë nisur.
“Pjesëtari i njësisë së krimeve ka qenë në këtë klinikë, duke mbyllur dhomën (ky dyshohet se janë filmat për CT dhe vaji Barium) për të vazhduar aksionin edhe në ditën e sotme (e mërkurë)”, ka thënë burimi nga policia.
I tërë aksioni duket se ka filluar me denoncimin e rastit nga një qytetar i lodhur me pritjet për të kryer një fotografim të thellë me aparaturën e CT-së, i cili në klinikat private kushton nga 130 deri 150 euro.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...