E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirëpresin Grupin

Ministria e Jashtme mirëpret krijimin e grupit “Miqtë e Kosovës” nga Presidentja Atifete Jahjaga. Zëvendësministri Ibrahim Gashi ka thënë për Express se themelimi i grupit të miqve ndërkombëtarë është pjesë e strategjisë për njohje të Kosovës. Nga Valmir Klaiqi më 24 gusht 2011 në ora 08:14

Ministria e Punëve të Jashtme ka përshëndetur nismën e Presidentes Atifete Jahjaga për formimin e grupit “Miqtë e Kosovës”.

Institucioni ekzekutiv që punon për sigurimin e njohjeve të reja për vendin kërkon sqarim nga Presidenca që të martën ka nisur konsultimet e brendshme në Vlorë për themelimin këtij grupi, por nuk ka ftuar asnjë zyrtar të MPJ’së dhe të Kabinetit të Zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, të cilët merren me lobim për njohje të pavarësisë.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Ibrahim Gashi ka thënë të martën për Express se personalisht nuk e di nëse Ministria e Punëve të Jashtme është e informuar për fillimin e funksionalizimit të këtij grupi nga ana e Presidencës.

“Ndoshta ministri ka qenë i informuar, por besoj që edhe nëse do të informohemi në ndërkohë, nuk ka problem”, ka thënë ai.

Gashi tha se institucioni i Presidentit ka rol kyç në politikën e Jashtme të vendit dhe në kuadër të kësaj është krejt normale që Presidentja të marrë iniciativa të tilla.

“Në fakt, nisma të tilla kemi dëgjuar edhe nga institucione të tjera, por çdo gjë që është në funksion të afirmimit të shtetit të Kosovës, të përmirësimit të imazhit të shtetit, mendoj se duhet të përshëndetet”, ka thënë ai.

Gashi shtoi se ideja për formimin e grupit “Miqtë e Kosovës” nuk është e re, sepse, sipas tij, kjo ide është përmendur edhe në Strategjinë e Ministrisë së Jashtme për njohjet.

Megjithëkëtë, numri dy i MPJ’së ka theksuar se krijimi i një grupi të tillë, i cili veç të tjerash do të merrej edhe me lobim, nuk paraqet komplikim dhe dublifikim në procesin e njohjeve.

“Në këtë aspekt, mendoj se nevojitet vetëm një koordinim dhe besoj se kjo do të bëhet nga ana e Presidencës. Tekefundit, ajo është një nga aktorët që duhet ta implementojë Strategjinë e Ministrisë së Jashtme për kompletimin e njohjeve për Kosovën”, ka thënë ai.

Gashi tha se Ministria e Jashtme është e gatshme të ofrojë propozime të emrave të njohur e që janë miq të Kosovës që të jenë pjesë e grupit “Miqtë e Kosovës”, nëse një gjë e tillë kërkohet nga Presidenca.

Presidentja Atifete Jahjaga, bashkë me këshilltarë të saj ndodhet në Vlorë, ndërsa të martën dhe të mërkurën do të punojnë për hartimin e një dokumenti mbi të cilin do të bazojë funksionimi i Grupit.

Sipas burimeve të gazetës, bashkë me Presidenten dhe stafin e saj, për këtë qëllim në Vlorë ndodhet edhe Luan Shllaku nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), për të cilin thuhet se është i pari që ka lansuar idenë për krijimin e grupit të miqve ndërkombëtarë, në vitin 2008.

Nga deklarimet e mëhershme të Presidentes Jahjaga rreth kësaj ideje, mund të pritet që në këtë grup të ftohen ish-Presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, ish-diplomati britanik, Denis MacShane, ish-Shefi i UNMIK’ut, Soren Jessen-Petersen, e ndoshta edhe ish-Presidenti kroat, Stipe Mesic.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›