Largohuni nga Kosova

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ia ka bërë me dije Serbisë se përparimi i saj në rrugën europiane është i kushtëzuar me Kosovën.
Zyrtarja e lartë gjermane, e cila ka ardhur në Serbi pas një vizite që ka kryer në Zagreb, ka qenë edhe më specifike kur ka folur rreth asaj që autoritetet në Beograd duhet të bëjnë në raport me problemet që janë shfaqur në pjesën veriore të vendit.
Merkel ka thënë se Serbia duhet t’i kthehet dialogut, të tregojë rezultate në këtë proces si dhe të çmontojë strukturuat paralele në Veri dhe të mos i krijojë sërish ato.
E, një kërkesë tjetër e saj është që EULEX’it t’i mundësohet të punojë në tërë territorin e Kosovës.
“Besoj se tani jemi në një fazë kruciale, çështja e kandidaturës së Serbisë për BE është e lidhur me raportet ndaj vendeve fqinje”, ka thënë ajo.
“Nëse Serbia do të arrijë statusin e kandidatit, ajo duhet të rifillojë bisedimet dhe të arrijë rezultate në atë dialog, t’i mundësojë EULEX’it që të punojë në të gjitha rajonet e Kosovës dhe t’i heqë strukturat paralele dhe të mos krijojë të reja”, ka thënë Merkel.
“Zonja e Çeliktë” siç është cilësuar shpesh Merkel nga mediat, këto qëndrime i ka bërë publike gjatë një konference për media me kreun e shtetit serb, Boris Tadic.
Merkel ka thënë se zgjidhja e çështjes së Kosovës është proces i gjatë, por nuk do të ishte e drejtë ndaj Serbisë që bisedimet t’i afrohen fundit, e vetëm atëherë Bashkimi Europian të thotë se “tani na ka rënë në mend se e kemi problemin e Serbisë me Kosovën”.
“Kështu që është më mirë që sot t’i zgjidhim çështjet e vështira sesa t’i shtyjmë për nesër”, ka thënë Kancelarja.
Ajo u është referuar edhe ngjarjeve dhe tensioneve të fundit në Veri duke i ndërlidhur ato me procesin e dialogut.
“Duam të shohim rezultate të reja nga dialogu. Vera nuk ishte aq e mirë dhe çoi deri në ngjarjet që ne kemi besuar se i takojnë së kaluarës. E potencuam që Gjermania e ka njohur Kosovën, e Serbia jo. Kjo është një situatë kur duhet një përparim– rezultate në dialogun e drejtëpredrejtë dhe heqjen e strukturave paralele”, ka thënë ajo.
Shtetarja gjermane më pas ka folur për rrugën europiane të Serbisë.
“Besojmë se vendi i Serbisë është në Europë. E pranojmë dhe falënderojmë për kurajën e treguar në këtë rrugë”, ka thënë ajo.
Kushtëzimi i rrugës europiane të Serbisë me Kosovën ishte paralajmëruar gjatë muajit korrik në Samitin e Kroacisë nga Nënsekretari amerikan i Shtetit, William Burns.
Diplomati amerikan kishte kundërshtuar praninë e forcave serbe të sigurisë në Veri duke kërkuar përparime në dialog. Burns po ashte kishte hedhur poshtë edhe ndarjen e Kosovës.
Qeveria gjermane ka dhënë mesazhe të rëndësishme lidhur me Kosovën, përmes Ministrit të Jashtëm, Guido Westerwelle, gjatë vizitës së tij në Prishtinë, para dy javësh. Ai kishte bërë të qartë se kufijtë e Kosovës nuk mund të lëvizin. I njëjti qëndrim për integritetin territorial të Kosovës ka ardhur edhe nga Qeveria amerikane, përmes diplomatit Philip Reeker, javën e kaluar.
Presidenti i Serbisë, Boris Tadic është përpjekur të “rezistojë” ngapak ndaj kërkesave të kancelares, por ka thënë se vendi i tij është i interesuar për zgjidhjen e problemeve duke theksuar që Serbia është e vetëdijshme që nuk mund të çojë probleme në Bashkimin Europian.
Tadic e ka quajtur kompleks “problemin e Kosovës”.
“Dua të jem i qartë. Ne jemi duke u ballafaquar me çështjen komplekse të Kosovës. Serbia nuk ka iluzione se mund të çojë një konflikt të ri në BE”, ka thënë ai.
Më pas, Tadic ka folur për “zgjidhje kreative dhe elastike”, duke theksuar se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por ka thënë se vendi i tij “do zgjidhje, dhe jo një konflikt të ngrirë”.
Por ai ka thënë se Beogradi do të shkojë në dialog.
“Serbia është e përkushtuar që të gjejë një zgjidhje paqësore, ne duam ta rifillojmë dialogun dhe të gjejmë një kompromis afatgjatë...në të njëjtën kohë Serbia do të ruajë parimet e veta dhe integritetin e saj”, ka thënë ai.
Tadic ndërkaq ka kërkuar një favor nga Berlini derisa ka thënë se Prishtinës duhet t’i bëhet një vërejtje.
“Ne presim që Gjermania, Kancelarja Angela Merkel të ketë mirëkuptim në të ardhmen për kompleksitetin e kësaj çështjeje në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Tadic.
Analistja e Iniciativës Europiane për Stabilitet, Verena Knaus, në një prononcim për REL ka “deshifruar” mesazhet e Merkelit.
“Mendoj se ka ardhur si mesazh shumë i befasishëm dhe shumë qartë i theksuar nga Kancelarja gjermane. Por, mendoj se nuk ka qenë i befasishëm për këdo që i shikon proceset integruese evropiane dhe që e di se BE’ja nuk dëshiron ta ketë një Qipro tjetër dhe së dyti se proceset integruese për Kosovën dhe Serbinë janë praktikisht të pamundura pa e kuptuar realitetin e sotëm", ka thënë Knaus.
"Kjo për Serbinë nënkupton se ajo duhet ta kuptojë se Kosova nuk qeveriset nga Serbia dhe se është shtet i veçantë, i njohur nga 22 shtete të BE’së dhe për Kosovën që ta kuptojë se Serbia është një fqinj dhe se duhet të merret me këtë, se një ditë duhet të ndajë politikat europiane dhe që të gjejë konsensus në disa çështje”, ka shtuar Knaus.
Profesori i shkencave politike në Beograd, Predrag Simic ka vlerësuar se tani Beogradit do t’i kërkohet zbatimi i Planit të Ahtisaarit.
“Nëse kjo nuk pranohet, atëherë çmimi është bllokimi i rrugës drejt BE’së”, ka thënë Simic.
E, sipas Simicit, Plani i Ahtisaarit për pjesën veriore nënkupton një lloj autonomie.
“Lidhje të caktuara mes Serbisë dh Veriut të Kosovës, disa institucione paralele do të ekzistojnë. Ato ekzistojnë edhe në Planin e Ahtisaarit dhe do të ekzistojnë edhe më tutje”, ka thënë Simic.