Batuta e Canës: “Në Angli më quajne Bekhami i Shqipërisë”Mesfushori: “Në gazetat angleze lart sheh Fergusonin dhe poshtë një vajzë lakuriqe”. Kapiteni i Sandërlendit: “Më mungon Liga e Kampioneve, por jam plot energji”

Lorik Cana është i pari lojtar i Kombëtares shqiptare që luan në kampionatin më të fortë në botë, Premier Ligën angleze. Mesfushori i fuqishëm e konsideroi kalimin te Sandërlendi në Angli si zgjedhjen më të mirë të tij, pavarësisht se kishte disa oferta nga skuadra të mëdha britanike e gjermane. Loriku ishte në humor, pasi lëshoi shumë batuta gjatë konferencës për shtyp, ndërsa pas saj dha shumë autografe për tifozët, sidomos ato femra që ishin të pranishëm në rezidencën e Kombëtares në hotel “Tirana International”.
Cana, gjatë merkatos në skenë dolën të interesuara për ju ekipe si Hamburgu, Volfsburgu, Evertoni, Arsenali, Liverpuli, ndërkohë që Sandërlendi nuk ishte përmendur asnjëherë, deri në momentin që ju firmosët për këtë skuadër. Mund të na tregoni ndonjë prapaskenë që kushtëzoi edhe kalimin tuaj në atë skuadër?
Gjithçka u realizua në një kohë shumë të shkurtër. Faktikisht, isha gati për ta mbyllur marrëveshjen me Hamburgun, por ata patën disa vështirësi dhe u tërhoqën.
Mund të ketë ndikuar edhe largimi i drejtorit të përgjithshëm të tyre, Dietmar Beiersdorfer?
Po, dhe ajo ka ndikuar. Duhet ta pranoj këtë. Kjo ka qenë dhe arsyeja që ata u tërhoqën. Dua të theksoj dhe faktin, se dëshira ime ishte të luaja në Premier Ligë, në Angli, ku është pa diskutim dhe kampionati më i fortë dhe më atraktiv në botë. Kisha disa opsione për të luajtur atje. Sandërlendi u shfaq më vonë, por duke parë klubin, strukturën, historinë, menaxherin e ri që ka ardhur, lojtarët e rinj që ai sjell, besoj që mund të jetë një sfidë dhe përvojë e re shumë e mirë për mua.
Media angleze e ka akuzuar drejtpërdrejt Arsen Vengerin në lidhje mos kalimin tuaj te Arsenali. A ka pasur ndonjë tratativë reale?
Deri në një pikë është e vërtetë, që unë kam qenë vazhdimisht në kontakt me Vengerin. Ai është një menaxher shumë i suksesshëm me klubin e tij. Situata ime për të vajtur te Arsenali ndryshonte çdo ditë, kështu që erdhi koha për të vendosur, pasi nuk dëshiroja të qëndroja pezull për një kohë që gjatë, dhe vendosa të angazhohem për një klub tjetër.
Mediat britanike kanë filluar t’iu vendosin në faqet rozë...
...E mora vesh (qesh). Ma bënë një batutë, kur vajta në Angli, pasi kanë marrë vesh patjetër, që media më ka përcjellë shumë, kryesisht në Shqipëri, dhe më thanë se “jeni një tip Bekhami i Shqipërisë”. Gjithsesi, iu jam përgjigjur se qëllimi im është të prezantoj një imazh sa më të mirë të vendit tonë, të lojtarit shqiptar, ashtu siç e kam bërë dhe në Francë, apo në kompeticionet europiane të ndryshme. Anglia është një vend ku jetojnë për futboll, çdo gjë është rreth futbollit, por te gazeta atje, në gjysmën e faqes shikon Aleks Fergusonin, në gjysmën tjetër, poshtë apo sipër Fergusonit, ke një vajzë lakuriqe. Është me të vërtetë që mund të ndodhë gjithçka, por të luash futboll në Premier Ligë është fantastike.
Nga Marseja te Sandërlendi. E konsideroni një ulje në karrierën tuaj?
Duke parë edhe emrin e klubit (të Sandërlendit), pa diskutim që Marseja është një klub me një famë më të madhe dhe luan në Ligën e Kampioneve. Me gjithë atë, për mua ishte koha për ndryshim dhe për të ndërruar kampionatin, pasi kisha luajtur (në Francë) për shtatë vjet. Klubet e Premier Ligës janë shumë lart klubeve të tjera në Europë. Në aspektin e famës është ulje, por në atë të nivelit të lojës e karrierës, kënaqësisë për të luajtur futboll, për ta ndjekur nga fansat është më bukur.
A mund të përdoret Sandërlendi një trampolinë për një ekip më të madh në Angli?
Patjetër. Pas një apo dy vjetësh, kjo mund të ndodhë. Luaj përballë ekipeve më të mëdha angleze, dhe mund të shfrytëzohet kjo mundësi. Por, për momentin jam lojtar i Sandërlendit, që është një klub me një traditë jashtëzakonisht të madhe dhe me fansa. Jam i befasuar, kur shoh që për një ndeshje miqësore mund të vijnë deri 8-9 mijë fansa tanë. Është diçka fantastike.
Keni jetuar në një qytet bregdetar si Marseja, ndërsa tani jeni në Angli, në ishull. E ndjeni ndryshimin?
Kam vetëm pak ditë. Nuk mund të flas dot tani. Është vetëm fillimi, por marrëdhëniet me njerëzit, fansat, shokët e ekipit janë shumë të mira. Fillimi është shumë i mbarë. Të gjithë presim fillimin e kampionatit të shtunën për te ecur e vazhduar sa më mirë.
Lorik, keni zhvilluar 31 ndeshje ndërkombëtare me dy klubet e mëparshme tuaja në Francë, Paris Sën Zhermenin dhe Marsejën. Këtë vit nuk do të luani në Ligën e Kampioneve, a ndjen mungesën e Europës?
Patjetër. Kur luan në Ligën e Kampioneve ke gjithmonë dëshirë të luash çdo vit. Megjithatë, kam bërë mbi 20 ndeshje në Ligën e Kampioneve dhe shpresoj se në të ardhmen do të luaj dhe takime të tjera. Është një mungesë, por nga ana tjetër shumë forcë dhe energji për të shpenzuar në kampionat.
Në tri ndeshje miqësore që keni luajtur me Sandërlendin, ekipi ka fituar dy të tilla dhe ka barazuar një. A jeni përshtatur me lojën e skuadrës?
Kanë qenë ndeshje miqësore ku janë të pranishëm mbi 30 mijë veta. Është një gjë fantastike. Më kanë mirëpritur dhe kjo ma ka lehtësuar përshtatjen.
Keni pasur një raport të veçantë me ish-trajnerin e Marsejës, Erik Gerets, ndërkohë që dhe trajneri i Sandëlendit, Stiv Brus, ka ndërtuar marrëdhënie të mira me ju. Si do ta vlerësoni?
Marrëdhëniet krijohen. Fillimi ka të bëjë me respektin ndaj njëri-tjetrit. Trajneri Brus pret shumë nga unë. Ka investuar shumë klubi te mua si futbollist, por dhe jashtë fushës.
Keni qenë shumë i lidhur me Marsejën dhe tifozerinë e saj. A mendoni ndonjë rikthim aty?
Jo për momentin. Ndoshta, kur të kaloj të tridhjetat. Kam dëshirë të luaj disa vite në Angli.
Në Francë, tifozët e Marsejës largimin e tuaj e konsiderojnë një gabim të trajnerit Didier Deshamps...
Nuk e di. Për këtë do të flasin rezultatet. Po fitoj Marseja do të thotë që ai nuk e ka pasur gabim.
Cana: “Klubet qipriote, më të mira se tonat”
Ndeshja miqësore me Qipron është testi i fundit përpara përballjes me Danimarkën dhe Suedinë, dy takimet përmbyllëse të aventurës së Kombëtares sonë në eliminatoret e Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010”, dy përballje vendimtare sidomos për fatin e dy kundërshtarëve tanë në urgjencë për pikë të plota. “Për të qenë realistë, - thotë Cana (37 ndeshje, 1 gol), - ndeshja kundër Qipros nuk ka të njëjtat karakteristika si ato zyrtare, megjithatë Shqipëria nuk ka gjithmonë mundësi të zgjedhë kundërshtarin për takimet miqësore. Qipro është një skuadër me nivel të mirë. Ka pasur rezultate dhe ka treguar lojë si me Italinë, por dhe klubet qipriote janë rritur shumë dhe kanë nivel më të lartë se klubet e vendit tonë. Është një kundërshtar me një nivel për t’u respektuar, por nuk besoj se jemi shumë larg nga njëri-tjetri. Do të jetë një përballje interesante që do të na shërbejë”.
E Hene, 10 Gusht 2009