E Diel, 1 Nëntor 2026

Duro: “Miqte e mi qipriotë, në Tiranë fitoj unë!”Mesfushori luan në ishull: “Do të jetë një ndeshje e veçantë për mua”. “Senatori” kuqezi”: “Ekipi ka nevojë për frymë të re dhe produkt të ri”

Klodian Duro, një nga mesfushorët me përvojë të Kombëtares (58 ndeshje), është i vetmi lojtar i thirrur nga trajneri Josip Kuzhe që luan në kampionatin qipriot. Elbasanasi 32-vjeçar shpenzoi një sezon me Omonia Nikosian përpara se të transferohej këtë verë te Apollon Limasol. Ish-lojtari i Tiranës, autori i golit të tretë në fitoren 3-0 kundër Maltës (e vetmja fitore në shtatë ndeshjet zyrtare të kualifikueseve të Botërorit 2010), si një njohës i futbollit ishullor, paralajmëroi se sfida kundër Qipros duhet përgatitur me seriozitetin maksimal, pavarësisht se qëllimi i dy ekipeve është të eksperimentojnë me lojtarët e rinj që kanë thirrur. Duro, së bashku edhe me Erjon Bodanin (32 vjeç) e Ervin Skelën (33), përbëjnë “treshen” e lojtarëve më me eksperiencë të kuqezinjve anti-Qipro. Ish-lojtari i katër ekipeve shqiptare (Elbasanit, Vllaznisë, Partizanit e Tiranës) është dhe autor i pesë golave me Kombëtaren. Në konferencën për shtyp ishin edhe Lorik Cana e Ansi Agolli, por Cana propozoi të fliste i pari Duro. “Propozoj që, meqenëse Klodi ka më shumë përvojë të flasë i pari ai, apo jo?”,- tha me diplomaci (e me të qeshur) Loriku. “Dhe e njeh Qipron më mirë”, -tha një nga gazetarët e pranishëm. “Normal, - shtoi Klodian Duro, në sezonin e tij të dytë në ishullin e “Afërditës”.

Duro, dihet shumë pak në Shqipëri për futbollin dhe Kombëtaren e Qipros. Si një lojtar që luan në kampionatin e tyre, cili është niveli i futbollit të përfaqësueses qipriote?

Qipro ka një Kombëtare për t’u vlerësuar. Shumica e lojtarëve njihen shumë mirë me njeri-tjetrin. Kanë një vazhdimësi prej më shumë se pesë vjetësh që luajnë bashkë. Kanë një eksperiencë në arenën ndërkombëtare. Baza e Kombëtares është nga kampionati vendas, nga ekipet kryesore siç janë Anorthosis e Omonia. Kanë një trajner me shumë eksperiencë, që ka drejtuar edhe në nivel klubesh e përfaqësuesesh. Mendoj se kanë një ekip kombëtar kompakt. Është për t’u vlerësuar. Këtë e ka treguar edhe në grupin e vet eliminator, ku ka arritur të përballojë shumë mirë dhe të nxjerrë rezultat si me Italinë, Irlandën apo Malin e Zi. Si konkluzion them se kanë një Kombëtare të mirë dhe duke ardhur në ngritje.

Po në raport me Kombëtaren tonë?

Jemi dy kombëtare të ndryshme. Mendoj se ata kanë një kombëtare të mirë, por dhe ne jemi një përfaqësuese e mirë.

Duke marrë dhe në konsideratë lojtarët që kanë luajtur më parë kundër Qipros, të paktën në tre takimet e mëparshme, Qipro është forcuar apo dobësuar?

Mendoj se të gjithë ekipet kombëtare ecin përpara. Në këtë moment mendoj se Qipro është një Kombëtare e fortë. Gjithsesi, di ta njoh nga jashtë Qipron, por jo të jem plotësisht në brendësi të tyre, së çfarë mendimesh kanë ata për ndeshjen kundër nesh.

Cilët janë lojtarët më me emër të Qipros, apo futbollistët që duhet të kemi më shumë frikë prej tyre?
Yjet e tyre janë ata të përhershmit, si Ioanis Okas, kapiteni i Qipros, apo dhe Mihalis Konstantinos. Të dy kanë një eksperiencë të madhe në fushën evropiane, pasi kanë luajtur në Ligën e Kampioneve me Panathinaikos apo Olimpiakosin. Në përgjithësi të gjithë kanë rritje në futbollin e tyre.

A keni pas kontakte me ndonjërin prej tyre përpara kësaj ndeshje me Qipro, pasi më parë keni luajtur bashkë te i njëjti ekip, Omonia?

Do të jetë një ndeshje e veçantë për mua, pasi të paktën me gjashtë lojtarë që përbëjnë bazën e Kombëtares së Qipros, kemi qenë kolegë te Omonia. Sigurisht, që gjatë kohëve të fundit kam pasur kontakte me ta, pasi dhe ata kanë ndruar ekip, siç është rasti i Okas, i cili ka lëvizur nga Omonia te Anorthosis. Ruaj kujtime të mira dhe sigurisht që mbaj dhe kontakte.

Duro, ju jeni një nga lojtarët më me eksperiencë në këtë grup të thirrur nga trajneri Kuzhe. Duke parë ecurinë e Kombëtares shqiptare, a mund të influencojë dukshëm përvoja juaj te lojtarët e rinj?

Nuk duhet ta mohojmë faktin se dhe ne jemi një Kombëtare e mirë, me lojtarë që luajnë prej disa vitesh bashkë e që përbëjnë bazën e skuadrës. Kjo është një ndeshje miqësore, por na shërben në ecurinë tonë për të ardhmen, për të krijuar një bazë të fortë, jo vetëm për dy ndeshjet zyrtare të radhës, ato kundër Danimarkës e Suedisë, por dhe për eliminatoret e ardhshme të Europianit.

Në dy ndeshjet e fundit miqësore të përfaqësueses janë arritur dy barazime: 1-1 me Azerbajxhanin në Baku, nën drejtimin e Ari Hanit, dhe 1-1 me Gjeorgjinë në Tiranë, nën drejtimin e Josip Kuzhes. Mendoni se ka ardhur radha të fitojmë, duke marrë njëkohësisht edhe fitoren e parë kundër Qipros?

Ndeshjet miqësore gjithmonë kanë objektiva të ndryshme nga ato zyrtare, pasi në përgjithësi janë në funksion të këtyre të fundit. Edhe pse është miqësore ne na shërben një rezultat pozitiv, që do të ishte fitorja, për t’i dhënë edhe një moral më të lartë ekipit, për të qenë sa më i qetë për ndeshjet eliminatore. Personalisht, kam dëshirë që pas mikpritjes në Shqipëri të miqve të mi, shokëve të mi të ekipit në Qipro, në fund duhet të dalë unë i fituar.

Keni ndryshuar skuadër, nga Omonia Nikosia te Apollon Limasol. Si e shikoni këtë lëvizje?

E konsideroj thjesht një ndërrim qyteti, por sigurisht që e vlerësoj një lëvizje të mirë në aspektin profesional. Apolloni është një nga katër ekipet që kanë mundur të fitojnë titullin kampion në Qipro. Edhe këtë vit ka objektiva për titull. Këtë e tregon dhe ardhja e trajnerit gjerman Von Hezen dhe blerjet e shumta, mbi 14 lojtarë të rinj. Për mua do të jetë si një nisje nga fillimi.

Trajneri Kuzhe, gjatë një interviste të ditëve të fundit, tha se ka nevojë për lojtarë të tillë si Duro, Skela, Lala, Bogdani edhe për edicionin e ardhshëm eliminator, pasi ka nevojë për eksperiencën e tyre. Ju jep kjo më shumë siguri?

Më shumë se fjalët nëpër intervista apo konferencat e shtypit, ajo që na bën ne të jemi pjesë e ekipit Kombëtar, është fusha e blertë. Vazhdojmë të gëzojmë një formë të mirë e që të tjerët na duan në merkato. Besoj se ne japim maksimumin dhe forma jonë natyrshëm që i jep dhe kënaqësi trajnerit. Nga ana tjetër, besoj se ekipi Kombëtar ka nevojë për frymë të re dhe produkt të ri. Mendoj se me kalimin e kohës do t’u bashkëngjiten, për të krijuar një grup të fuqishëm, pse jo dhe të shpresojmë më shumë se edicionet e kaluara.

A u ka marrë ndonjë mendim trajneri në lidhje me miqësoren me Qipron?

Detyra jonë e përhershme është të japim më të mirën në fushë. Në këtë rast, kur bëhet fjalë për Qipron, kemi këmbyer mendim për ndonjë futbollist të veçantë, kurse për planet apo objektivat e tij është tërësisht puna e trajnerit. Prandaj është dhe në këtë detyrë.

E Hene, 10 Gusht 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›