Bayern gjobit Neuer

Manuel Neuer dhe Bayern Munchen po perjëtojnë një marrëdhënie shumë të tensionuar pas intervistës së numrit 1 i cili kritikoi zgjedhjen e klubit për të larguar trajnerin e portierëve, Toni Tapalovic. Administratori Oliver Kahn por edhe gjithë zinxhiri drejtues i klubit gjerman nuk kanë arritur ta përtypin kritikën publike të Neuer dhe pas kundërsulmeve mediatike, hidhen në veprim edhe konkretisht.
Neuer që momentalisht është në infermieri pas frakturës në këmbë të shkaktuar gjatë pushimeve në një resort malor, duhet të paguajë një gjobë të majme për shkak të qëndrimit aspak konform rregullave të klubit. Sipas “Bild”, lojtari duhet të paguajë një faturë të kripur, plot 1.6 milionë euro. Një shumë e paprecedentë kjo që gjithsesi synon të bëjë shembull lojtarin, i cili e ka mbyllur sezonin dhe nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Nagelsmann deri në fillim të fazës përgatitore gjatë muajve të verës.
Krisjet mes klubit dhe numrit 1 kanë nisur menjëherë pas përfundimit të Kupës së Botës kur Neuer udhëtoi në një resort malor dhe u dëmtua pas një rrëzimi të dhunshëm duke pësuar një frakturë të rëndë. Kjo sjellje nuk i pëlqeu aspak presidentit Kahn por edhe drejtorit sportiv Hasan Salihamixhic të cilët kërkojnë që lojtarët të sillen në mënyrë profesionale edhe kur ata janë me pushime.