E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Korabi e Flamurtari nuk i ndahen barazimit

Korabi dhe Flamurtari kanë ndarë nga një pikë mes tyre në ndeshjen e javës së 15-të, e cila në mesditën e së shtunës është luajtur në Peshkopi dhe ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Një ndeshje, e cila emocionet më të mëdha i ka patur në pjesën e dytë, ndërsa 45 minutat e para janë të vakta dhe me pak emocione.

Janë dashur 17 minuta për të regjistruar gjuajtjen e parë, teksa në një goditje dënimi për Flamurtarin, Flores në pozicion ballor është ndalur nga grushtimi i Mehidrit. Korabi provon nga distanca mirëpo shënjestrat e Tabakut në të 19’ dhe Mziut në të 24’ janë të gabuara. Flamurtari tenton me Jurin në të 30’, veçse momenti më ideal për të kaluar në avantazh ishte në të 39’. Mehidri gabon në rivënien e topit në lojë dhe Augusto nuk di të përfitojë. Në këtë mënyrë me barazimin e bardhë pa gola ka përfunduar pjesa e parë.

45 minutëshi i dytë ka nisur me një ritëm ndryshe për Korabin, që në harkun kohor të dy minutave prodhon golin. Gjithçka është paralajmëruar nga Keko në të 50’, që i vetëm me portierin Kuka ndalet nga ndërhyrja e Beqajt. Madje një minutë më vonë portieri i vlonjatëve neutralizon rrezikun e ardhur nga pasimi i thellë i Dragojt, por në rastin e tretë është i pafat. Firmos Selmanin golin e dibranëve dhe të gjithë janë në delir. Ndeshja ka dhe momente tensioni pas përplasjes së Beqajt me Kekon, teksa lojtarët e të dyja skuadrave janë aty për t’u kacafytur. Ndërhyrjet e dy trajnerëve Kumbarçe dhe Troisi, të cilët i shtrëngojnë duart njëri-tjetrit, si dhe kartonët e verdhë të Shahinit për Kekon, Beqajn dhe Shkallën qetësojnë situatën. Dibranët kërkojnë golin e dytë me Hoxhajn në të 65’, por Kuka grushton dhe Flamurtari merr zemër, teksa gjen golin e barazimit në të 68’ me Hoxhajn. Selmani ka patur shansin për dygolëshin personal në të 85’, veçse nuk ka shënjestrën e duhur pas topit të Kekos. Mehidri mban barazimin 1-1 të paprekur pas gjuajtjes së Beqajt dhe në vërshëllimën e fundit të Klodian Shahinit gjithçka mbetet në paqe. 26 pikë për Korabin dhe Flamurtarin, që i janë bashkuar Skënderbeut në ndjekje të Dinamos pas javës së pesëmbëdhjetë të Kategorisë së Parë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›