Bayerni, frikë nga Shaqiri

Xherdan Shaqiri është vënë në qendër të vëmendjes, 8 ditë para zhvillimit të ndeshjes së parë të së tetës së finales së Ligës së Kampionëve ndaj Bayernit të Munichut. Të gjithë sytë janë vënë kah talenti kosovar dhe nga reagimi i tij në këtë sfidë të veçantë për të, vetëm disa ditë pasi nënshkroi me klubin gjerman, të cilit do t’i bashkohet gjatë verës.
Natyrisht, duke e pasur parasysh kualitetin e tij të pamohueshëm, lojtarët e Bayernit kanë filluar të brengosen për të mos e pasur fatin e njëjtë me Manchester Unitedin, të cilin e eliminoi pikërisht kampioni zviceran.
Kapiteni Philipp Lahm mund të jetë lojtari i cili do ta ketë për detyrë ta ruajë përfaqësuesin zviceran. “Shaqiri ka shkathtësi të veçanta. Teknikisht është i mirë, i shkathët dhe i pandalshëm”, tha përfaqësuesi gjerman.
Edhe mbrojtësi Holger Badstber është i vetëdijshëm për vështirësitë, të cilat mund t’i shkaktojë Shaqiri për ekipin e tij. “Shaqiri është lojtar i shpejtë dhe mund ta vendosë i vetëm lojën”, tha ai.
Trajneri i Bayernit, Jupp Heynckes, e ka përsëritur faktin se Shaqirin e konsideron si talent të jashtëzakonshëm dhe se do t’i kryejë shumë punë ekipit të tij, kur të transferohet në Gjermani.
“Ai është talent i jashtëzakonshëm, e shoh mirë në mes të fushës dhe në krahun e djathtë. Ai e mban topin mirë dhe ka teknikë të mirë. Ka atë që nevojitet për të luajtur në Bayern. Mund të bëhet lojtar i madh”, u shpreh Heynckes. Shaqiri është i njohur edhe për tifozët e Bayernit, të cilët mezi presin ta shohin atë në ekipin e tyre të zemrës nga sezoni i ardhshëm.