De Biasi beson në Botëror

Një aventurë stimuluese, një eksperiencë jetësore. Gianni de Biasi i ka shpalosur objektivat e tij me Kombëtaren shqiptare, me të cilën është lidhur deri në vitin 2013. Selektori i ri i Kuqezinjve, në një intervistë për ueb faqen italiane calciomerato.com, ka folur për nismën e punës në Shqipëri dhe për atë çka e pret në të ardhmen.
Cili ishte reagimi i parë nga propozimi për ta udhëhequr Shqipërinë?
De Biasi: Nuk kam thënë menjëherë po. Më është nevojitur kohë për të menduar, për t’i shqyrtuar të gjitha aspektet. Në fund jam bindur, e kam pranuar dhe mendoj se e kam bërë zgjedhjen e duhur. Ta udhëhiqja një kombëtare ishte një eksperiencë që dëshiroja të bëja. Oferta e Shqipërisë ka arritur në momentin e duhur të karrierës sime. Mendoj se mund të kontribuoj në arritjen e objektivave, të cilët janë paraparë. Mendoj se do të bëj punë të mirë.
Keni biseduar tashmë me ndonjë lojtar shqiptar që luan në Itali?
De Biasi: Natyrisht, kam biseduar me Canën e Lazios, Ujkanin e Novarës dhe Bogdanin e Sienës. Dëshiroja ta merrja mendimin e tyre rreth ambientit, rreth mentalitetit dhe njerëzve. Për mua është gjithçka e re. Eksperiencat e tyre mund të jenë ndihmë për mua në muaj e ardhshëm. Së bashku mund të ndërtojmë diçka të rëndësishme.
Keni menduar se si do të luani me Shqipërinë?
De Biasi: Më 29 shkurt do të jetë miqësorja me Gjeorgjinë, lojtarët do t’i kem në dispozicion pak më parë. Shumë prej tyre nuk i kam parë kurrë, për këtë, për momentin nuk e di se si do të luajmë. Gjatë këtyre javëve, unë dhe bashkëpunëtorët e mi skautë e kemi vizituar një pjesë të mirë të Evropës për t’i vëzhguar dhe vlerësuar se cilët lojtarë meritojnë të ftohen. E kam marrë një kombëtare, me të cilën objektiv e kemi ta rinojmë ekipin dhe ta transmetojmë entuziazmin e duhur për të bërë mirë. Dua lojtarë që luajnë me zemër, që janë të vetëdijshëm se çka do të thotë ta veshësh fanellën e vendit tënd. Mendoj, për shembull, për ata lojtarë që kanë pasaportë të dyfishtë. Kush e zgjedh Shqipërinë nuk e bën këtë sepse është ‘përjashtuar’ nga Kombëtarja tjetër, por sepse është i lidhur ngushtë me tokën e tij.
Sa është i rëndësishëm aspekti psikologjik për një selektor?
De Biasi: Shumë. Mjafton të mendosh për atë që ka bërë Renard, selektori i Zambisë. Ia ka transmetuar lojtarëve të tij mentalitetin fitues për ta mposhtur çdokënd. Është e qartë, aspekti teknik e ka rëndësinë e vet, por duke punuar me kokën e lojtarëve, duke ia transmetuar motivacionet e duhura, mund të ndihmojë të arrihen ato që do.
Norvegjia, Zvicra, Sllovenia, Qiproja e Islanda. Grupi për Brazili 2014 është i vështirë, por jo edhe i pamundur.
De Biasi: Jam dakord me ju. Kemi respekt maksimal për kombëtaret me të cilat do të përballemi, por mund ta kishim një short më të vështirë. Nuk dëshiroj të mendoj se deri ku mund të arrijmë ose se sa pikë do t’i mbledhim. Mund vetëm të them se do të luftojmë deri në fund për një ëndërr.