Prishtina liron 5 futbollistë

Adrian Kozhani, Arbër Sahiti, Fitim Llapashtica, Taulant Haliti e Mehë Uka mund ta vazhdojnë karrierën diku tjetër, ngase trajneri Wolfgang Jerat nuk llogarit në shërbimet e tyre këtë sezon.
Trajneri gjerman e ka bërë gati listën prej 25 futbollistëve të mërkurën, ndërsa ka njoftuar edhe për lirimin e 5 të tjerëve.
“Pesë futbollistët e liruar kanë kontratë me klubin dhe mbetet në dëshirën e tyre nëse dëshirojnë të huazohen apo ta vazhdojnë karrierën diku tjetër. Gjithashtu, ata mund të rrinë këtu dhe ta presin rastin e tyre. Për hir të kontributit që kanë dhënë dhe për hir të korrektësisë, ne nuk do të kërkojmë dëmshpërblim për ta”, deklaroi nënkryetari i Prishtinës, Afrim Muçiqi, i cili njoftoi se Haliti do të kthehet në ekipin e juniorëve.
Në mesin e futbollistëve të liruar befasisht gjendet edhe emri i mesfushorit Kozhani, i cili ishte lojtar i rëndësishëm i bardhekaltërve në vitet e fundit. Muçiqi siguron se nuk kishte ndonjë mosmarrëveshje në mes të lojtarit dhe trajnerit, por që konkurrenca e fortë ka bërë që gjermani të mos llogarisë në Kozhanin.