Baza socialiste ashpërson zërin kundër Edi Ramës, nga Pogradeci dhe Vlora e akuzojnë se ka manipuluar procesin

Eliminimi i kandidatëve të propozuar nga baza për kryetarë të Partisë Socialiste në rrethe, vazhdon të konsiderohet si një vendim i montuar për interesa personale të Edi Ramës. Të këtij mendimi janë socialistët në rrethe, të cilët dënojnë qëndrimin e kryesocialistit, ndërsa e akuzojnë atë për manipulim të zgjedhjeve dhe shkelje flagrante të statutit. Duke i kujtuar këtij të fundit kauzën 1-vjeçare për transparencë të procesit elektoral të 28 qershorit, kandidatët e Pogradecit të përjashtuar nga kjo garë i kërkojnë Ramës të reflektojë në lidhje me procesin zgjedhor brenda radhëve të PS-së, pasi sipas tyre, Rama po shkel demokracinë e brendshme të partisë, duke eleminuar nga zgjedhjet propozimet e asamblesë të bashkisë dhe komunave të Pogradecit.
Ylli Galo, kandidat për kryetar partie tha se “Edi Rama ka shkelur statutin”. “Kandidaturat që janë menduar të dalin janë pa kontribut në PS, kur i njeh gjithë qyteti dhe rrethi. Le të vijnë të gjithë emrat e propozuar dhe të votohen ata që e meritojnë, le të votohen në sheshin e mejdanit. Edi Rama kur kërkon hapjen e kutive, përse vetë i mbyll ato”- u shpreh ai.
Edhe dy kandidatët e tjerë të Vlorës, të propozuar nga baza socialiste në këtë qark, Albert Gjondeda e Arqile Mishtaku kanë akuzuar për mungesë transparence, korrupsion politik dhe ekonomik drejtuesit lokalë të kësaj partie, si dhe krerët e saj në qendër.
Gjondeda ka deklaruar se është hequr nga lista për votim vetëm dy netë më parë dhe është zëvendësuar me Neime Gjikën, e cila njihet ndryshe si kunata e kryetarit të aktual të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika.
Sipas tij pazaret politike brenda radhëve të drejtuesve lokalë dhe atyre në qendër cënojnë demokracinë e brendshme të PS, duke i kthyer në një merkato zgjedhjet për krerët e partisë në këtë qark.
Edhe kandidati tjetër për kryetar të PS në Vlorë i eleminuar nga gara, Arqile Mishtaku, ka akuzuar drejtuesit lokalë se kanë uzurpuar Partinë Socialiste, duke përmendur direkt kryetarin aktual të bashkisë Gjika, që sipas tij në kundërshti me statutin ka propozuar gjatë asamblesë si kandidat në garë Kujtim Sulçen.
Pakënaqësia e shkaktuar në bazë, vjen pas vendimit të marrë në mbledhjen e së mërkurës, ku kryesia e Partisë Socialiste hoqi nga lista e kandidatëve më shumë se gjysmën e propozimeve të ardhura nga rrethet. Kjo shkaktoi debate në mbledhje, duke sjellë një reagim publik të anëtarit të kryesisë dhe një prej figurave kryesore të PS–së, Ben Blushit si dhe reagim në radhët e socialistëve në qarqe, të cilët akuzojnë kryetarin Rama se po e shndërron partinë në një oborr personal.