Samiti i Dubrovnikut, Berisha: U shpreh vizioni në mbështetje të perspektivës evropiane të Shqipërisë

Beogradi të kuptojë se ideali evropian duhet të jetë ideali udhëheqës për kombet tona dhe se këto nuk pajtohen me qëndrime përjashtuese
Kryeministri Sali Berisha tha sot nga Dubrovniku i Kroacisë se të pranishmit, përfaqësues të lartë të politikës së Bashkimit Evropian, shprehën mbështetje të plotë për perspektivën evropiane të Shqipërisë. Gjatë një komunikimi me gazetarët, Berisha tha se kryeministrat e Francës, Polonisë, Sllovenisë dhe Bullgarisë, vlerësuan progresin e Shqipërisë. Kryeministri komentoi dhe mungesën e Beogradit në këtë takim, duke theksuar se ky ishte një veprim negativ dhe se ideali evropian duhet të jetë ideal udhëheqës për kombet tona dhe këto nuk pajtohen me mos dialog apo me qëndrime përjashtuese
Zoti Kryeministër sa i rëndësishëm është ky takim për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit?
Unë mendoj se është një takim jashtëzakonisht i rëndësishëm, në kuptimin që këtu ishin të pranishëm Kryeministri i Francës, i Polonisë, i Sllovenisë, i Bullgarisë dhe të tjerë. Të gjitha janë vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe u shprehën qartë për perspektivën e sigurt evropiane të Shqipërisë, në mënyrë eksplicite Kryeministri i Francës dhe të rajonit në përgjithësi. Unë mendoj se ky takim ishte shumë i dobishëm, sepse këtu shkëmbehen pikëpamjet për të gjithë problematikën që ekziston në vende dhe në rajon, si dhe krijohet një kuptim më i qartë, më i mirë për të gjitha zhvillimet. Pra unë mund të them se ky ishte një Samit vërtetë shumë i dobishëm dhe, siç e dëgjuat ju, oratorët shprehën vizionin e tyre tërësisht në mbështetje të perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe të rajonit.
Zoti Kryeministër kemi pjesëmarrjen e Kosovës, por nga ana tjetër kemi bojkotin e Serbisë. Sa ndikon kjo në bashkëpunimin rajonal?
Kjo, absolutisht, është një gjë që duhet të mos ndodhë. Sepse, edhe njëherë, dua të theksoj se ideali evropian duhet të jetë ideal udhëheqës për kombet tona dhe këto nuk pajtohen me mosdialog apo me qëndrime përjashtuese. Në këtë kontekst uroj dhe dëshiroj që këto praktika të marrin fund sa më shpejtë.