E Diel, 1 Nëntor 2026

Politika ndërkombëtare e Edvinit: Përshëndetje dhe kërcënime revolucionare

Lideri i socialistëve Edi Rama përshëndeti në mënyrë revolucionare rezolutën e fundit të Parlamentit Europian. Bukur fort. Pas përshëndetjes erdhi kërcënimi revolucionar se opozita do shumicën me çdo kusht në komisionin parlamentar, dhe nëqoftëse nuk na e jepni, ne do të fitojmë një mbështetje edhe më të madhe që populli opozitar i ka dhënë kauzës së transparencës” - paralajmëroi Rama. Kryesocialisti flet sikur shumica në komisioni i është mohuar, çka nuk është e vërtetë. Përkundrazi, Kreu i Maxhorancës Berisha në shumë raste ka theksuar me plot gojë dhe jashtë çdo dyshimi se konsensusi i PD-së është që t’i japë PS-së kryesimin e komisionin brenda suazës kushtetuese. Gjithashtu në disa raste ka sqaruar qartësisht se Transparenca e materialeve zgjedhore nuk është penguar, sepse çdo material për arkiv mund të shikohet nga të gjithë brenda afatit që përcakton Ligja.
Fiks 700 burra e gra europarlamentarë që u mblodhën me besë, diskutuan dhe miratuan rezolutën për Shqipërinë, e cila kërkon që zgjidhja e ngërçit midis palëve të jetë në favor të zgjedhjeve të ardhshme dhe jo atyre të shkuara. Më qartë u shpreh Zv/Presidenti Libor Roucek, i cili theksoi në PE: “Zoti President, ne kemi një ndryshim për amendamentin 2, fjalët “të gjitha materialet zgjedhore” (edhe rinumërimi i votave) të ndryshohet në “materialet zgjedhore” (pra nuk ka rinumërim të votave). Ky është nënkuptimi i amendamentit “Parlamenti shpreh shpresën që qeveria shqiptare dhe opozita e kupton siç duhet se kapërcimi i situatës konfliktuale është kyç për progresin e aspiratat evropiane të Shqipërisë. Përshëndet konkluzionet e ministrave të Jashtëm të 17 qershorit, ku thuhet se është tashmë koha që të gjendet një zgjidhje që të përballet me testin e kohës dhe që është përgjegjësia e qeverisë shqiptare dhe e opozitës që të gjejnë një zgjidhje në mënyrë transparente dhe në respekt të plotë të Kushtetutës së Shqipërisë, e cila është e nevojshme për rrugën e vendit drejt BE-së”. Me këtë ripërkufizim të amendamentit nr. 2 përjashtohet mundësia e hapjes së kutive. Natyrisht po në amendamentin e lartpërmendur, komisioni hetimor parlamentar duhet të prezantojë konkluzionet e tij në kohë, në mënyrë që të bëhet i mundur aprovimi i legjislacionit të ri para zgjedhjeve lokale të 2011-s, mbi bazën e propozimeve të komisionit dhe të OSBE/ODIHR-it
E mira e pritshme është që të dy kampet politike në Shqipëri të pranojnë sugjerimet e ndërkombëtarëve, çka nënkupton sigurisht asnjë thyerje ligji, pra respektim të nenit 178, pika 6 e Kodit Zgjedhor, i cilia parathotë shqyrtim të materialeve zgjedhore dhe djegie të fletëve të votimit. Kaq, mjafton për Transparencën.
Sidoqoftë Edi Rama me politikën e nënkuptimeve realizon strategjinë e kërkesave të pamundura, pasi s’ka strategji tjetër për të qenë faktor i rëndësishëm në politikë.
E kështu do të kalojë kohën derisa të trokasin zgjedhjet lokale. Patjetër po të ishte një strategji vizionare qeverisëse ose të paktën përpjekje e mëtejshme substanciale, që do t’u jepnin idenë qytetarëve se është për konsolidimin e demokracisë e shtetin e së drejtës dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, nuk do ta kishin braktisur me mospjesëmarrjen masive në greva urie apo ekskursione protestash. Shumë prej iniciativave të ndërmarra nga udhëheqja nuk janë iniciativa që kanë përfunduar me fidbekun e duhur. Këto iniciativa nuk kanë pasur përkrahjen e shumë faktorëve në tërësi dhe nuk kanë zbehur vetëm rolin e disa personave. Sepse Partia Socialiste në këtë vit ka qenë e mbushur dingas me bojkot, protesta e greva urie që nuk kanë pasur një qëndrim konsistent dhe një vijueshmëri të qartë si dhe një profil të caktuar drejtuar opinionit publik, pse jo, edhe faktorit ndërkombëtar.
Përfundimisht, sot qëndrimet e socialistëve janë të vagullta, të paqarta në atë që duhet të ishte prioritet i punës së saj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›