E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baza socialiste në Durrës, kundër Ramës



Dega e PS-së në Durrës, më shumë se kurrë gjendet e përçarë nga klanet dhe mendimi ndryshe, duke anuar me shumicë nga “Pro”–ja për futjen në Parlament të deputetëve të zgjedhur me votën e lirë të 28 qershorit. Mbi 1600 anëtarë dhe militantë të degës socialiste në Durrës kanë hartuar dhe nisur dje një peticion proteste drejt selisë qendrore të PSSH-së në Tiranë, ku i kërkojnë kryetarit të asaj partie, Edi Rama, futjen pa asnjë hezitim të deputetëve në Parlament, pasi sipas tyre, “bojkoti po prish imazhin e Shqipërisë, vonon politikisht rreshtimin e vendit në krah të vendeve të tjera në BE, duke krijuar njëherësh imazhin e keq të një opozite, e cila përballet rrugëve dhe jo në tempullin e demokracisë me mazhorancën qeverisëse”. Njëri prej firmëtarëve, militant dhe anëtar i PS-së në Durrës, Edmond Mançe, deklaroi për “standard” se “kam qenë dhe jam i majtë, por jo pro formave dhe metodave me të cilat Rama po drejton partinë. E themeluam ne, e mbajtëm ne dhe kemi dhënë gjithçka nga jeta jonë për PS, por jo të dirigjohemi dhe të përdoremi për interesat e ngushta të kryetarit e kupolës tij. çdo gjë ka kufij edhe protesta edhe bojkoti, nderi i deputetëve tanë është atje në sallën e Parlamentit, atje bëhet edhe lufta politike”. Peticioni është mbështetur edhe nga ish-deputetë socialistë dhe më veteranët e PS-së në Durrës, si Bardhyl Agasi, Natasha Paço etj. Prej kohësh themeluesit e PS-së në Durrës, tanimë të mënjanuar nga drejtimi, kryesia dhe gjithçka tjetër që mban lidhur strukturat e saj, janë kundër metodave dhe formave me të cilat Rama dhe njerëzit e tij (jo vetëm në Durrës) drejtojnë degët e partisë në rrethe. Sipas tyre dhe shumicës së anëtarësisë socialiste në Durrës, “rruga e bojkotit shpie ujë në mullirin e atyre që nuk e duan Shqipërinë në BE, që duan që shqiptarët të kacavirren dyerve të ambasadave dhe të vuajnë mallin për fëmijët dhe të afërmit e tyre”. Sipas hartuesve dhe mbështetësve të peticionit, “edhe protesta e 20 nëntorit, e cila u organizua duke detyruar njerëzit apo duke i blerë ata me premtime boshe, nuk arriti qëllimin e duhur, ndaj rruga e vetme mbetet dialogu, ulja e gjakrave dhe organizimi i një tryeze konstruktive mes palëve, çka do të sillte qetësimin e situatës politike në vend dhe shpejtimin e marrjes së vendimit nga PE-ja për heqjen e vizave edhe për shqiptarët, ashtu siç u veprua për fqinjët tanë ballkanas”. Baza socialiste në Durrës ndihet e pasigurt për të ardhmen e partisë e drejtuar momentalisht nga Rama dhe suita e dirigjuar totalisht nga ai si në qendër edhe në bazë. Ata deklaruan se “jemi të lodhur me thirrjet për protesta, pasi ato janë shantazhe boshe nga politikanë karrieristë, tashmë vota e 28 qershorit e ka përcaktuar fitimtarin, le ta lëmë të ecë qeverinë, të zbatojë reformat dhe detyrat e vëna nga evropianët dhe deputetët tanë të futen pa asnjë ditë vonese në Parlament”. I pafuqishëm përballë zemëratës së anëtarësisë dhe militantëve socialistë, ndihet edhe kreu i ri i degës së PS-së në Durrës (i caktuar nga vetë Rama) Edison Konomi, i cili ka deklaruar se “për 5 dhjetorin e kemi shumë problem mbledhjen sërish të njerëzve, pasi nuk na binden më”. Gjithsesi, para kësaj date, Rama ka vendosur të vijë me urgjencë vetë në Durrës një pasdite, për të organizuar mbledhjen e të paktën 2 autobusëve me militantët që i binden akoma atij, por edhe kjo shihet si diçka tepër e vështirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›