Përplasje fatale në Krujë, humbin jetën gjashtë persona
Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Fushë-Krujë - Laç. Bilanci i aksidentit tragjik i përplasjes ishte fatal: 6 të vdekur, pesë pasagjerët e Benzit gri me targa Tirane, nga ku tre ishin adoleshentë, si dhe një viktimë, drejtuesi i autoambulancës. Sipas burimeve nga policia, përplasja fatale ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Tiranë - Fushë-Krujë, ku si pasojë e shpejtësisë tej normave të lejuara, një autoambulancë është përplasur me një Benz që vinte nga Tirana. Përplasja mes dy mjeteve ka qenë e fortë dhe katër prej personave humbën jetën menjëherë. Ndërkohë, ndaj dy personave të tjerë u dha ndihma e parë, duke i dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë në vdekje klinike, ku ata humbën jetën më pas, si pasojë e plagëve të rënda të marra. Policia ngriti një grup pune për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Sipas policisë, pesë viktimat që udhëtonin në automjetin tip Benz, janë Eri Murati 17 vjeç, Ili Murati 15 vjeç, Artan Alushi 30 vjeç, Indrit Kaçi 18 vjeç, Florian Muzhaqi 26 vjeç. Ndërsa ambulanca drejtohej nga Vlash Suti, nga Laçi.
Ngjarja
Rreth orës 20:15 në afërsi të fshatit Derven një makinë gri Mercedes-Benz po udhëtonte nga Tirana në drejtim të Laçit, ndërkohë që në drejtim të kundërt ka qenë duke ardhur një automjet nga Laçi. Në afërsi të fshatit Derven, të dyja mjetet janë përplasur ndërmjet tyre. Sipas burimeve zyrtare policore, brenda në veturën tip Benz me targa TR 15 79 A ishin pesë persona, ndërsa në ambulancë ishte vetëm drejtuesi i saj. Përplasja ka qenë fatale për katër prej pasagjerëve në automjetin ngjyrë gri me targa të Tiranës, pasi ata kanë humbur jetën menjëherë, ndërsa dy të tjerët mbërritën në vdekje klinike në mjediset e Spitalit Ushtarak, ku për disa minuta edhe ata do të pësonin të njëjtin fat me katër të tjerët. Policia ngriti një grup pune për të hetuar dhe zbardhur shkaqet e aksidentit. Nga hetimet e para dyshohet se shkak i tij mund të ketë qenë shpejtësia tej normave të lejuara dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor. Ndërkohë që po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Viktimat
Eri Murati 17 vjeç
Ilir Murati 15 vjeç
Artan Alushi 30 vjeç
Indrit Kaçi 18 vjeç
Florian Muzhaqi 26 vjeç
Vlash Suti