Bazel: Policia ndërhyn me plumba gome në një ndejë ilegale të të rinjve

Natën e të premtes në Bazel ka shperthyer një konflikt në mes të policisë dhe pjesëmarrësve të një aktiviteti të palejuar të të rinjve. Konflikti ka ndodhur në sheshin e qendrës së panaireve (Messeplatz) të Bazelit. Policët kishin shkuar për t`i dhënë fund ndejës ilegale në të cilën merrnin pjesë rreth njëqind persona.
Ata ishin grumbulluar pranë një eksponati artistik (në kuadër të panairit të artit Art Basel që mbahet këto ditë në atë ambient) dhe kanë filluar një aksion të tyre me zhurmë. Përgjegjësit kanë kërkuar prej tyre të largohen dhe të ndërprejnë zhurmën gjë që ata nuk kanë pranuar, shkruan albiinfo.
Për këtë arsye kishin ardhur policët për të ndërhyrë.
Pasi që disa nga pjesëmarrësit kishin hedhur shishe dhe qese me ngjyrë në drejtim të policëve, këta të fundit qenë detyruar të ndërhynin, duke përdorur plumba gome dhe gaz lotsjellës, bën të ditur Policia kantonale e Bazelit.
Por, sipas burimeve të televizionit publik të Zvicrës SRF, nga ndërhyrjet e policisë kanë pësuar edhe njerëz që nuk kanë qenë pjesëmarrës të manifestimit./Indeksonline/