E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvillim i qëndrueshëm i marrëdhënieve Mal i Zi – Kosovë

Përpjekjet e fundit konfirmojnë se të drejtat e pakicave në Kosovë dhe Mal të Zi janë duke treguar një zhvillim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke garantuar statusin e minoriteteve që ende nuk njihen.Një forum dyditor i miqësisë Kosovë-Mali i Zi u mbajt në fillim të qershorit i organizuar nga Shoqata e Malazezëve të Kosovës, dhe i mbështetur nga dy ministritë përkatëse të punëve të jashtme dhe ajo e kulturës në Prishtinë dhe Podgoricë.

Përfaqësuesit e bashkësive shqiptare në Mal të Zi dhe komunitetit malazez në Kosovë diskutuan mbi bashkëpunimin diplomatik, tregtinë dhe kulturën.

Bashkësia etnike malazeze dhe diaspora malazeze janë një lloj ure mes Kosovës dhe Malit të Zi, diçka që ne e kemi vërtetuar disa herë që nga themelimi jonë. Kurorëzimi është shkëmbimi i të ngarkuarve me punë mes Malit të Zi dhe Kosovës, që së shpejti do të pasohet nga shkëmbimi i ambasadorëve", tha për SETimes Slobodan Vujiçiq, president i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës.

Sipas shoqatës ekzistojnë midis 14 000 dhe 15 000 malazezë në Kosovë, nga 27 028 para luftës. Më shumë se 5000 janë zhvendosur në Mal të Zi dhe, sipas Agjencisë së Refugjatëve të OKB-së, rreth 8300 në Serbi. Ata kryesisht jetojnë në zonat përgjatë kufirit me Shqipërinë dhe Kosovën.

Megjithatë, malazezët nuk njihen ende në Kushtetutën e Kosovës.

"Që kur shoqata jonë u themelua, dhe ne i dërguam një kërkesë zyrtare për njohjen e pozitës sonë ligjore dhe kushtetuese dhe të përfaqësimit në Kuvendin e Kosovës, pozicioni ynë është përmirësuar në shumë mënyra, siç ishin të drejtat tona, të cilat do të jenë të njëjta si për të gjitha pakicat e tjera në Kosovë", tha Vujiçiq.

"Garancitë dhe mesazhet e shpeshta nga zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë edhe kryeministrin, tregojnë se (të drejtat e minoritetit malazez do të përafrohen me ato të pakicave të tjera në Kosovë)", shtoi ai.

Në maj, zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Petrit Selimi pohoi se Kosova dhe Mali i Zi do të zgjerojnë bashkëpunimin në kuadër të standardeve evropiane.

"Shqiptarët në Mal të Zi janë urat e lidhjes, por në ekonomi, infrastrukturë dhe bashkëpunimin politik, ka hapësirë për një bashkëpunim më të thellë", tha Selimi.

Megjithatë, lëvizja opozitare e Kosovës Vetëvendosje tha se të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi shkelen shpesh.

Xhelal Sveçla, sekretari i marrëdhënieve me jashtë i Vetëvendosjes, tha se shkeljet përfshijnë mungesën e autonomisë politike dhe territoriale në nivel lokal, kthimet e pronës te ish-pronarët, mungesa e mundësive për arsim dhe mosruajtja dhe njohja e trashëgimisë kulturore shqiptare.

"Qeveria duhet të ngrejë zërin e saj për të kundërshtuar shkeljet dhe të afirmojë, kudo që të shkojë, të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi", tha Sveçla për SETimes.

Genci Nimanbegu, kryetar i partisë Forca Shqiptare në Mal të Zi, mendon se autoritetet duhet të bëjnë më shumë për përmirësimin e pozitës së pakicës shqiptare në Mal të Zi.

"Në 20 vitet e fundit janë bërë hapa seriozë për përmirësimin e pozitës së pakicave në Mal të Zi. Megjithatë, pozicioni i pakicës shqiptare është kompleks; shteti duhet ende të hartojë ligje në përcaktimin e pozitës së pakicave, siç është në BE. OJQ-të kanë bërë shumë, por situata e tanishme ekonomike dhe mungesa e fondeve e bën punën të vështirë", tha Nimanbegu për SETimes.

Mali i Zi ka disa parti politike shqiptare, me katër përfaqësues shqiptarë në parlament, nga një total prej 81.

"Ne ende jemi mjaft të përçarë politikisht dhe ndoshta kjo është arsyeja pse disa nga çështjet e shqiptarëve në Mal të Zi ende nuk janë zgjidhur .... Gjithkush duhet të ketë një mundësi për të provuar veten në politikë. Ja pra pse demokracia është mbi të gjitha", shtoi Nimanbegu.

Selimi i Kosovës vlerëson njohjen dhe përpjekjet për integrimin evropian

Gjon Ivanaj, një punëtor shqiptar në bujqësi nga Ulqini, Mali i Zi, tha se kohët kanë ndryshuar që nga vitet 1990, kur diskriminimi ndaj shqiptarëve ishte i përhapur.

"Për fat të mirë, kjo kohë ka kaluar, dhe tani ne jetojmë si çdo banor tjetër i Malit të Zi. Situata ekonomike është e vështirë, kriza nuk bën dallim mes kombësisë së dikujt, kështu që unë mendoj se askush nuk shikon më kombësinë e tjetrit, por vetëm si të mbijetojë muajin e ardhshëm", tha Ivanaj për SETimes./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›