E Diel, 1 Nëntor 2026

Beçaj mbledh Konferencën Gjyqësore, do zgjidhen 2 anëtarët e ri KLD

TIRANE- Kryetarja e Gjykatës së Lartë vendosi të thërrasë mbledhjen e Konferencës Gjyqësore Kombëtare për të zgjedhur dy anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) të cilët do të zëvendësojnë 2 anëtarët që u ka mbaruar mandati kushtetues.

Me cilësinë e Kryetares së Konferencës Gjyqësore, zonja Shpresa Beçaj vendosi mbledhjen e  Konferencës Gjyqesore Kombëtare (KGJK), më 8 prill, informoi sot Gjykata e Lartë. 

Mbledhja e Konferencës Gjyqësore Kombëtare (zgjedhore) organizohet në mbështetje të nenit 147/1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Rregullores së KGJK -së datë 24 shtator 2010 dhe Ligjit nr. 8811 datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.

Konferenca Gjyqësore Kombëtare (zgjedhore) ka në rendin e ditës zgjedhjen e 2 anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për një manadat 5 vjeçar, që do të zëvendësojnë dy anëtarë, të cilëve u mbaron mandati.

Në mbështetje të Rregullores së KGJK -së, gjyqtarët të cilët do të kandidojnë për vendet vakante, do të shpallin kandidaturat e tyre jo më vonë se 10 ditë përpara datës së konferencës.
(s.g/atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›