“Beccheti”, PD i drejtohet Gjykatës kushtetuese, kërkon ngritjen e komisionit hetimor parlamentar

Partia Demokratike dorëzoi paraditen e së hënës pranë Gjykatës Kushtetuese padinë për mosngritjen e Komisionit Hetimor parlametar “Becchetti”. Nënkryetarja e PD Grida Duma dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi thanë se vendimi i Kuvendit është antikushtetues dhe se Kryeministri është përgjegjës për humbjen e 120 milion eurove. “Padyshim fitorja e parë e PD-së është fakti që ata treguan publikisht që nuk miratojnë dot një komision hetimor sepse janë të qartë që është një çështje e humbur. Komisionet hetimore me ¼ e firmave të deputetëve mblidhen dhe janë të legjitimuar. PD nuk mund të ndalojë në një fitore publike, mediatike. Rama ka frikë të hetohet sepse është i dështuar, shkaktar për humbjen e 120 mln eurove. 120 mln euro i arbitrazhit ndërkombëtar që ndëshkon Shqipërinë dhe duhet ta paguajnë shqiptarët, shkaktarë janë ata duke influencuar dhe tek gjykatat shqiptare”, tha Duma.
Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi tha se pasi u bë publik vendimi për këtë çështje, PD depozitoi në SPAK një kallëzim, për vënien para drejtësisë të përgjegjësve. “Asokohe kur vendimi u bë publik, PD ka depozituar një kallëzim në SPAK për përgjegjësit e kësaj afere. Bëhet fjalë për një hetim parlamentar, për përgjegjësinë administrative të zyrtarëve. Që në prill kur janë depozituar faktet kemi dorëzuar në SPAK kallëzim. Dhe kemi paraqitur kërkesën për komision hetimor. S’ka pasur bisedime të tjera për inceneratorët dhe kanë kërkuar 1 javë kohë. Të enjten pritet vendi. Duam që të hetohet afera e inceneratorëve dhe jo të krijojmë grup pune.”, theksoi ai.