Beci: Mensa publike në Shkodër, model për studentët dhe komunitetin

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Në prag të nisjes së vitit të ri akademik, kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci zhvilloi sot një takim me rektorin e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof. dr. Tonin Gjuraj.
Nga zyra e shtypit pranë bashkisë Shkodër, bëhet e ditur për ATSH-në, se fokusi i takimit ishte mbështetja dhe bashkëpunimi mes dy institucioneve.
Mbështetja infrastrukturore dhe investimet e bashkisë Shkodër, në godinën e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, ishte një tjetër pikë e diskutimit mes Becit dhe Gjurajt.
Zyra e shtypi pranë bashkisë Shkodër, thekson se investimet e parashikuara pritet të nisin këtë vit.
Mensa studentore (publike), karta e studentit ku studentët do të kenë çmime më të lira në mensë, teatër, pallatin e sportit apo shërbime të tjera që varen nga bashkia Shkodër, janë një pjesë e mbështetjes direkte që studentët e këtij universiteti përfitojnë nga pushteti vendor.
Sa i takon mensës publike, Beci bëri të ditur se jo vetëm studentët, por edhe çdo qytetar i Shkodrës do të ketë mundësinë të shijojë vakte të plota me çmime të arsyeshme në mensën e parë publike të bashkisë Shkodër, e cila u çel pranë Ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve.
“Kjo hapësirë e re ofron standarde të plota higjieno–sanitare dhe vjen si një alternativë e munguar prej vitesh, duke i dhënë qytetit tonë një mundësi të re shërbimi publik në funksion të mirëqenies së komunitetit”, tha Beci.
Kryetari i bashkisë Shkodër shtoi se “është për t’u vlerësuar fakti që vetë Ndërmarrja e Trajtimit të Studentëve, me të ardhurat e saj, ka bërë të mundur këtë investim, duke e kthyer në realitet një model që i shërben si studentëve, ashtu edhe çdo banori të qytetit tonë”.
Sipas zyrës së shtypit pranë bashkisë Shkodër, investimet në infrastrukturë do të përqendrohen në ndërhyrjen në sistemin kapot të dy godinave të fakulteteve të Shkencave Shoqërore dhe Natyrore, riparimin e çatisë së bibliotekës së universitetit dhe lirimin e hapësirave pranë godinave të fakulteteve të Universitetit.
Beci u shpreh se “bashkia Shkodër do të jetë gjithmonë pranë studentëve me projekte e nisma të reja nga mensa e qytetit deri tek ide të tjera që i shërbejnë jo vetëm universitetit, por edhe gjithë qytetit”.
Më herët, rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Tonin Gjuraj, tha se “sipas statistikave, raporti kuota-regjistrime deri tani shënon një trend të vogël rritjeje, duke arritur në 45,21%, krahasuar me 44,73% që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.
/e.i//r.e//a/f/