E Diel, 1 Nëntor 2026

Beci: Vijojnë përgatitjet e fundit për sistemimin e brezit ranor në Velipojë

TIRANË, 25 maj/ATSH/ Në plazhin e Velipojës, një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në vend po vijojnë përgatitjet e fundit për sistemimin e brezit ranor.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci bëri të ditur sot se paralelisht me nisjen e investimit për rrugën përgjatë pedonales dhe ndërhyrjet në të gjithë vijën bregdetare, puna është përqendruar që Velipoja të jetë gati për të pritur pushuesit në kushtet më të mira këtë verë.

Beci tha se “brenda një muaji do të kemi realizuar të gjithë investimin që vazhdon deri në 1.6 km. Kjo përfshin lotin e parë të investimeve të bashkisë Shkodër në Velipojë në funksion të bizneseve dhe pushuesve”.

Nga ana tjetër, Beci zbuloi edhe detaje të projektit të rrugës, i cili përfshin një aks me dy korsi, korsi biçikletash dhe një hapësirë të gjelbër ngjitur me pedonalen.

“Me vëmendje të shtuar për pastërtinë, infrastrukturën dhe hapësirat publike, bashkia Shkodër po punon çdo ditë për një sezon turistik sa më të suksesshëm dhe një Velipojë më të organizuar, më funksionale dhe më mikpritëse për të gjithë vizitorët”, tha Beci.

Plazhi i Velipojës me një shtrirje prej mbi 14 km  është ndër më të frekuentuarit nga pushuesit vendas dhe të huaj. Velipoja njihet për ndërthurjen me hijeshi të detit, lumit, delta me ishuj, kodrat, pylli, laguna e fusha, që tërheqin çdo vit e më shumë pushues.

/k.s/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›