Skema Kombëtare, financim 100% për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor

TIRANË, 25 maj /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi sot se hapja e aplikimeve për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026 përfaqëson një mundësi të rëndësishme për fermerët shqiptarë, duke ndikuar në uljen e kostove dhe rritjen e prodhimit vendas.
Gjatë një konference për mediat, ministri prezantoi edhe nismën për organizimin e fermerëve në Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB), të cilën e cilësoi si një instrument të rëndësishëm për forcimin e sektorit bujqësor, formalizimin dhe rritjen e konkurrueshmërisë në treg.
“Është një potencial i madh në mbështetje të fermerëve dhe të bujqësisë”, u shpreh Salla.
Sipas tij, aktualisht po punohet në 26 bashki të vendit, ku janë përfshirë 300 fermerët e parë drejt organizimit të tyre për të prodhuar në mënyrë të bashkuar, ndërsa procesi po zgjerohet edhe në bashki të tjera me potencial bujqësor.
Ministri bëri të ditur se deri tani janë ngritur 26 modelet e para të SHBB-ve në bashkëpunim me bashkitë dhe 58 të tjera të krijuara privatisht nga vetë fermerët, duke e çuar në 84 numrin total të Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor në vend.
Këto modele përfshijnë kultura dhe zona të ndryshme të vendit, si fruta-perimet, ulliri në Berat, Elbasan dhe Vlorë, bimët aromatike në Malësi të Madhe e Belsh, qepët në Korçë dhe arrat në Kolonjë. Ndërkohë, procesi i krijimit të SHBB-ve vijon edhe në Shijak dhe Shkodër.
Salla theksoi se ky model bashkëpunimi mes fermerëve dhe bashkive krijon mundësi për të hyrë në tregje më të mëdha dhe për të rritur eksportet bujqësore.
“Kjo mënyrë e re bashkëpunimi arrin të ulë deri në 25% humbjet në prodhim”, tha ministri.
Ai nënvizoi se ky është një model i ndërtuar sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe mbështetet si nga Skema Kombëtare, ashtu edhe nga fondet që adreson BE për zhvillimin e sektorit.
Ministri bëri të ditur se Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor kanë mundësi të përfitojnë mbështetje të plotë përmes masave të parashikuara në skemat financiare, në funksion të rritjes së prodhimit dhe fuqizimit të fermerëve shqiptarë.
/e.xh/a.f/