E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha për marrëveshjen për detin: Greqia ka shpallur 12 miljet detare

TIRANË, 25 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se kryeministri Edi Rama ka sabotuar marrëveshjen e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë të arritur nga qeveria Berisha, duke e cilësuar atë si një marrëveshje “win-win” për të dyja palët.

Gjatë një konference për shtyp me gazetarët, Berisha tha se marrëveshja e arritur para vitit 2013 ishte në interes të Shqipërisë dhe se zgjidhja ishte parashikuar të kalonte në Gjykatën e Hagës pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas Berishës, pala greke kishte pranuar që procesi të shqyrtohej mbi bazën e marrëveshjes ekzistuese, në një kohë kur Greqia njihte për vete vetëm 6 milje ujëra territoriale. Berisha tha se rikthimi në negociata të reja i dha mundësi Athinës të shpallte më pas zgjerimin në 12 milje detare.

“Ne jemi në mbështetje të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, të bashkëpunimit me Republikën Helenike dhe vendet e tjera fqinj. Problemi me të cilin vjen, për të cilin duket se vjen zoti Dendias, është problemi i marrëveshjes së detit. E kam theksuar dhe e theksoj se Edi Rama, për llogari të palëve të treta, bëri gjithçka që të sabotonte marrëveshjen e arritur para vitit 2013 me palën greke. E kam theksuar dhe e theksoj se ajo ishte një marrëveshje ku të dy palët fitonin, ishte win-win marrëveshje. Në vend se ta vazhdonte aty ku e lamë me palën greke, pasi e rrëzoi Gjykata Kushtetuese në mënyrë absolute në kundërshtim me interesin kombëtar të Shqipërisë, dhe e faktoj shumë thjeshtë këtë.  Pasi e rrëzoi Gjykata Kushtetuese, pala greke kërkoi rinegocim.

“E lamë që atë marrëveshje ta çonim në Gjykatën e Hagës. Ku ishte avantazhi, ta themi tani, i Shqipërisë? Avantazhi i Shqipërisë ishte se Greqia kishte negociuar marrëveshjen duke i njohur vetes 6 kilometra ujëra territoriale. Greqia në përputhje me Traktatin e Detit, mund t’i njihte vetes kur të donte 12 kilometra ujëra territoriale. Greqia firmosi marrëveshjen me Shqipërinë bazuar në atë ligj që kishte, në të cilin kishte shpallur vetes të drejtën për 6 kilometra ujëra territoriale. Ndaj dhe do ishte Haga. Ekspertë ndërkombëtarë, dhe unë e kam ekspertizën, kompani shumë serioze ndërkombëtare që shqyrtoi marrëveshjen pasi u rrëzua, shkruan: “Kjo marrëveshje në qoftë se rimatet, rishqyrtohet, mund të dalë shumë e drejtë. Mund të pësojë ndonjë përmirësim. Por në rast se Greqia shpall 12 miljet, gjithçka përmbyset për Shqipërinë, kundër Shqipërisë.

“Tani, autoritetet greke, duhet ta pranojmë këtu me një eksperiencë të jashtëzakonshme në problemet e kufijve detarë, sepse kanë nja 3000 kilometra, i kanë të pafund, thashë e pranuan që të shkojmë në kuadrin e marrëveshjes pa ndryshuar, pa rivendikuar 12 milje. Dhe në qoftë se shkonim me atë marrëveshje kuadër, nuk mund të rivendikohej më, sepse gjykata do u thoshte nuk ndryshojnë rregullat në mes të lojës, nuk mund t’i ndryshosh”, tha Berisha.

Berisha tha se negociatat e zhvilluara nga qeveria shqiptare me palën greke përfunduan pa rezultat dhe se tentativa për firmosjen e marrëveshjes në Korçë dështoi për shkak të kundërshtimeve institucionale dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila kërkonte përdorimin e metodës së proporcionalitetit në përcaktimin e kufijve detarë.

Ai shtoi se pas dështimit të firmosjes së marrëveshjes, Greqia shpalli rivendikimin e 12 miljeve në ujërat territoriale, duke e konsideruar këtë si pasojë direkte të politikës së ndjekur nga qeveria shqiptare.

“Pala greke u largua nga Korça dhe pas nja dy-tre muajsh shpalli rivendikimin e 12 kilometrave në ujërat e veta territoriale”, tha Berisha.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›