“Beethoven” përmbyll sezonin artistik, mbrëmje magjike nga Orkestra e RTSH-së dhe kori i Teatrit të Operës dhe Baletit

Me tingujt e Simfonisë nr. 9 të Beethoven, Orkestra Simfonike e RTSH-së mbylli sezonin artistik në një koncert të mbajtur në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit nën drejtimin e dirigjentit Facundo Agudin.
Në skenë u ngjitën solistët Eva Golemi, Vikena Kamenica, Amadi Lagha dhe Artur Vera, ndërsa Korin e Teatri Kombëtar të Operës dhe Baletit e drejtoi Dritan Lumshi.
Drejtoresha Artistike e Orkestrës Simfonike, Blerta Ristani, u ndal te puna e orkestrës gjatë këtij sezoni artistik dhe roli i saj në promovimin e artit dhe kulturës në vend.
“Jo vetëm në sallë, por edhe jashtë sallës, në një auditor tjetër më të gjerë, të dëgjojmë simfonia nr. 9 të Beethoven, sepse dihet që është himni i Evropës “Oda e Gëzimit”. Koha e katërt është një simfoni shumë e madhe, e një organikë shumë të madhe. Edhe për këtë më vjen shumë mirë që se kemi kontribuar sadopak në gjithë këtë atmosferë shumë të mirë që po përjeton Shqipëria në këtë prag negociatash”, tha Ristani.
Drejtori i Përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Aulon Naci, vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimeve ndërinstitucionale, duke dëshmuar se produksionet e mëdha artistike jo vetëm pasurojnë jetën kulturore të vendit, por edhe afrojnë publikun me muzikën klasike.
“Një mesazh i qartë për forcën që arti mbartë dhe pikërisht këtu në sallën e madhe të Teatrit Kombëtar të Operës së Baletit siç e patë dhe ju salla ishte e tejmbushur dhe në këto ditë të nxehta korriku pikërisht për një event madhështor siç është edhe Simfonia nr. 9 e Beethoven”, tha Aulon Naci.
Kryevepra e Beethoven-it, e cila kulmon me “Odën e Gëzimit”, himnin e Bashkimit Evropian, solli një mesazh të fuqishëm uniteti, paqeje dhe solidariteti.
/RTSH/