E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton ndryshime në 3 ligje të sistemit financiar, Malaj: Përafrim me standardet e BE-së. Më shumë siguri dhe konkurrencë në treg

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka bërë të ditur se qeveria ka propozuar ndryshime në tre ligje që lidhen me sistemin financiar në vend, me synim modernizimin e kuadrit aktual dhe përafrimin e tij me standardet e Bashkimit Evropian.

Në një deklaratë pas mbledhjes së qeverisë, Malaj tha se ndryshimet prekin ligjin për sistemin e pagesave, ligjin për shërbimet e pagesave dhe ligjin për bankat.

“Kemi propozuar disa ndryshime në tre ligje që lidhen me sistemin financiar në vend. Kemi propozuar ndryshime për ligjin e sistemit të pagesave, ndryshime për ligjin e shërbimeve të pagesave dhe disa ndryshime për ligjin e bankave në vend”, tha Malaj.

Sipas ministrit, këto ndërhyrje nuk synojnë vetëm modernizimin e sistemit financiar shqiptar, por shërbejnë edhe për përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit vendas me direktivat e Bashkimit Evropian.

“Këto ndryshime jo vetëm modernizojnë sistemin aktual financiar në vend, por janë edhe në funksion të përafrimit të kuadrit ligjor me direktivat e BE-së. Ato i shërbejnë gjithashtu kuadrit të negociatave për Kapitullin 4, që lidhet me lëvizjen e lirë të kapitalit”, tha ai.

Ministri theksoi se ndryshimet e propozuara sjellin përfitime edhe për qytetarët dhe bizneset, përmes uljes së kostove të transaksioneve financiare, rritjes së mbrojtjes së konsumatorëve dhe forcimit të sigurisë në sistemin financiar.

“Ndër ndryshimet e propozuara ka edhe benefite për qytetarët dhe bizneset në vend, si reduktimi i kostove të transaksioneve financiare, mbrojtje më e mirë e konsumatorëve, rritje e sigurisë në sistemin tonë financiar, si dhe nxitje e konkurrencës dhe efikasitetit në këtë treg”, u shpreh ministri.

Sipas tij, këto masa do të përmirësojnë funksionimin e sistemit financiar shqiptar dhe do të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të vendit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›