Befason veten

Besart Berisha nuk ka të ndalur. Sulmuesi kosovar po vazhdon të shkëlqejë në futbollin e Australisë së largët, duke u bërë lojtari kryesor i kampionit aktual të këtij vendi, Brisbane Roar.
Berisha të shtunën i shënoi edhe dy gola të tjerë në fitoren e rëndësishme të ekipit të tij me rezultat 0:3 ndaj Perth Gloryt. Kështu, prishtinasi prin bindshëm në listën e realizuesve më të mirë në ‘A-League’, me 17 gola të shënuara dhe sipas të gjitha gjasave, ai do të shpallet edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit australian, i cili përfundon pas katër javësh.
Andaj, pa kurrfarë dyshimi, Berisha po kalon formën më të mirë të karrierës, duke u bërë aktualisht sulmuesi më i mirë shqiptar. Edhe vetë 26-vjeçari e pranon se, kur kishte marrë rrugën për t’iu bashkuar Brisbane Roarit, as që e kishte paramenduar se do të kalojë nëpër një formë të tillë, kaq të mirë.
“Pas disa kohëve të vështira që i kalova nëpër Evropë, nuk e kam pritur se do të kaloj në një formë të tillë këtu në Australi. Nuk e kam pritur se do t’i shënoj këto 17 gola. Por, tani jam shumë i lumtur, edhe nëse nuk e realizoj më asnjë gol tjetër në këtë edicion”, ka deklaruar Berisha për Express.
Por, ai thotë se do të bëhej akoma më i lumtur sikur ekipi i tij ta fitonte edhe sivjet titullin e kampionit, të cilin trofe më afër e ka Cost Mariners. “Kanë mbetur edhe katër xhiro deri në fund të kampionatit. Në tabelë prin Cost Mariners me 44 pikë, vetëm tri më shumë sesa ekipi im. Fatkeqësisht ne nuk mund të takohemi më me këtë skuadër. Por, ekipi im duhet të vazhdojë me fitore, me shpresë që Cost Mariners të gabojë dhe ta rrëmbejmë pozitën e parë”, theksoi ai.
Këto paraqitje të Berishës, kohë më parë detyruan drejtuesit e Brisbane Roarit ta vazhdojnë kontratën me të deri në vitin 2014. Forma e mirë e Berishës nuk ka mbretur pa u vërejtur nga klubet e vendeve të kontinentit aziatik, të cilat, vazhdojnë ta kërkojnë atë, pavarësisht se ka vazhduar kontratën me ekipin australian.
“Është një numër i konsiderueshëm i skuadrave që kanë shprehur interesim për mua. Shumica e ekipeve që më kërkojnë janë nga Japonia, Kina, Koreja e Jugut, por edhe dy ekipe nga Evropa. Mirëpo, unë jam i lumtur në Brisbane Roar. Vetëm ndonjë ofertë jashtëzakonisht e mirë ndoshta do të më bindte të largohesha nga këtu. Ndërsa, pasi të më skadojë kontrata, ndoshta do ta pranoja më lehtë ndonjërën prej këtyre ofertave, sepse ende jam i ri në moshë”, u shpreh ish-futbollisti i Arminia Bielefeldit, Hamburgut, AaB, Burnleyt e Rosenborgut.
Se Berisha e ka pushtuar futbollin australian e konfirmon edhe fakti se kompania gjigante e veshjeve sportive ‘Adidas’ ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me të, për reklamimin e saj në Australi. Megjithatë, Kombëtarja e Shqipërisë nuk pritet të përfitojë asgjë nga ky shkëlqim i Berishës, i cili edhe nëse ftohet, nuk e ka ndërmend t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për shkak të largësisë ndërmjet Australisë dhe Shqipërisë.