E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debuton me gol

Hamdi Salihi ka debutuar me një gol fantastik në fanellën e D.C. Unied. Sulmuesi shqiptar e ka ndihmuar ekipin amerikan në fitoren 1:0 ndaj Chicago Fire. Përfaqësuesi shqiptar ndihet i kënaqur me mënyrën se si e nisi eksperiencën amerikane, derisa pret përmirësime të tij dhe të ekipit në vazhdim. Fjalë të mira për ish-futbollistin e Rapid Vjenës kanë edhe shokët e rinj të skuadrës.

Hamdi Salihi e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme eksperiencën në ekipin D.C. United. Sulmuesi shqiptar e ka shënuar golin e fitores ndaj Chicago Fires, në ndeshjen e parë të Carolina Challenge Cup.

Për 65 minuta, përfaqësuesi shqiptar ishte i qetë, por më pas shpërtheu me një gol të shkëlqyeshëm, në fitoren e ekipit të tij me rezultat minimal, 1:0. D.C. United nuk luajti mirë, por tash e tutje do ta ketë në ekip Hamdi Salihin, i cili përkujdeset për golat.

“Jam mjaft i lumtur. Ishte ndeshja e parë me ekipin dhe unë shënova dhe fituam”, deklaroi Salihi fillimisht për MLSsoccer.com. – “Është ndjenjë e mirë, por ne kemi shumë punë për të bërë. Nuk jemi ekipi perfekt, por jam i lumtur sepse jemi në rrugë të mirë, po punojmë çdo ditë. Hap pas hapi, ne do të jemi gati për ndeshjen e parë të kampionatit, ku mund të luajmë shumë më mirë”, shtoi Salihi, i cili po përgatitet maksimalisht për sezonin e ri në futbollin amerikan, i cili do të fillojë më 10 mars.

Bashkëlojtari i tij, Chris Pontius e ka lavdëruar Salihin, duke e përgëzuar për golin spektakolar që e shënoi. “Jo shumë njerëz do të gjuanin nga ajo pozitë, por ai e bëri dhe e futi topin në rrjetë. Ishte një përfundim i mirë i aksionit dhe kjo është arsyeja se pse e kemi transferuar atë. Një gol në një ndeshje. Mendoj se ai do ta vazhdojë këtë ritëm”, nënvizoi Pontius.

Edhe shoku tjetër i ekipit, Dwayne De Rosario, i cili e pa golin nga bankina, ka mbetur i impresionuar me ish-futbollistin e Rapid Vjenës.

“Vetëm ai ka mundur ta bënte atë gjuajtje. Jam i lumtur për të. Për të, ta përfundonte ashtu atë rast ishte mirë. Është bukur ta shohësh dikë që ka instinkt të tillë përpara golit. Jam mjaft i nderuar dhe po mundohem të krijoj marrëdhënie të mira në fushë. Salihi është një plus i madh për ne”, përfundoi De Rosario.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›