Begaj apel ambasadorëve shqiptarë: Mos jini pasivë, ofroni shërbime për diasporën! Promovoni kulturën dhe identitetin tonë

Presidenti i vendit Bajram Begaj priti sot ambasadorët shqiptarë që shërbejnë në misione diplomatike anembanë botës.
Gjatë fjalës së tij, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë strategjike të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar atë jo si një rrugëtim të izoluar, por si një vizion për një rajon të integruar plotësisht në BE, ku shqiptarët luajnë një rol kyç si faktor stabiliteti dhe kohezioni.
“Anëtarësimin në Bashkimin Evropian nuk e shohim si rrugëtim vetmitar, sepse besojmë në një rajon të integruar në BE me shqiptarët si faktor stabiliteti dhe kohezioni,” u shpreh Presidenti Begaj.
Ai vuri në dukje se angazhimi i Shqipërisë në nisma të rëndësishme rajonale, si dhe kryesimi i tyre, ka dëshmuar përkushtimin e vendit për të promovuar paqen, bashkëpunimin dhe zgjidhjet e përbashkëta.
Në këtë kontekst, presidenti përmendi organizimin e dy ngjarjeve madhore ndërkombëtare në vitin 2027: Samitin e NATO-s dhe Kongresin Botëror të Ligjit, të cilat, sipas tij, pozicionojnë Shqipërinë si një urë të rëndësishme dialogu dhe bashkëpunimi në Evropë dhe më gjerë.
“Ne kemi treguar se mund të kontribuojmë për stabilitet, për bashkëpunim dhe zgjidhje të përbashkëta. Ky është roli që forcon pozitën dhe imazhin tonë në botë si dhe rrit identitetin e Shqipërisë si partner i besueshëm dhe faktor stabiliteti në rajon dhe më gjerë,” shtoi kreu i shtetit.
Begaj vlerësoi rolin e pazëvendësueshëm të diplomacisë shqiptare si instrument i politikës së jashtme, duke e quajtur diplomatin e sotëm “arkitekt të marrëdhënieve të reja dhe ndërtues të urave të bashkëpunimit”.
Ai theksoi se diplomatët shqiptarë janë zëdhënës dhe promovues të vlerave kombëtare në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar, ku sfidat globale kërkojnë qasje inovative dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Një pikë qendrore e fjalës së Presidentit Begaj ishte roli i diasporës shqiptare si një aset i çmuar për forcimin e pozitës së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
“Shqiptarët që banojnë jashtë atdheut janë një aleat i jashtëzakonshëm. Ata nuk janë vetëm statistika, por janë anëtarë të familjes së madhe shqiptare,” u shpreh ai, duke u bërë thirrje ambasadorëve që të mbajnë dyert e ambasadave të hapura për bashkëkombësit dhe të transformojnë kontaktet me ta në një rrjet të mirëfilltë bashkëpunimi.
Sipas presidentit, angazhimi i diasporës mund të shërbejë si një urë lidhëse për promovimin e interesave shqiptare dhe për forcimin e lidhjeve ekonomike, kulturore dhe politike me vendet ku ata jetojnë.
Gjithashtu Begaj u kërkoi ambasadorëve që të jenë aktiv në rolin e tyre si diplomatë që të promovojnë kulturën dhe identitetin shqiptar.
“Kujdesuni që ambasadat tona të jenë jo vetëm qendra graviteti të marrëdhënieve midis shteteve por edhe streha të sigurta në lidhjen midis Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo ku ata janë. Kjo do të thotë ndër të tjera shërbime konsullore në kohë dhe me cilësi. Promovim agresiv për vendin dhe mbështetje proaktive për gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar. Shqipëria nuk e ka luksin që të ketë diplomatë pasivë që presin vizitën e radhës për të bërë diplomatin e sidomos tani në këtë prag bote të re”,deklaroi më tej Begaj
/rtsh.al/