E Diel, 1 Nëntor 2026

Begaj dhe Peleshi urojnë nga Korça për Pashkën ortodokse

TIRANË, 12 prill/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj ka vizituar sot Mitropolinë e Korçës nga ku ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë, por eshe të gjithë shqiptarët për festën e Pashkës.

Në një deklaratë për mediat, Kreu i Shtetit uroi paqe, dashuri dhe mbarësi për të gjithë.

Begaj apeloi për më shumë solidaritet dhe respekt në shoqërinë shqiptare, duke theksuar rëndësinë e vlerave njerëzore dhe bashkëjetesës.

“Jam sot i gëzuar që gjendem në Korçë për të uruar nga Mitropolia e Korçës të gjithë besimtarët ortodoksë: Gëzuar Pashkën! Qoftë një Pashkë e bekuar për të gjithë besimtarët, por edhe për të gjithë shqiptarët. Uroj që drita e qiririt e marrë mbrëmë në kishë të ndriçojë zemrën e çdo individi dhe të gjithë shoqërisë sonë”, uroi Brgaj.

Gjithashtu, Begaj apeloi që: “Të bëhemi më të mirë për njëri-tjetrin, më solidarë dhe më të mbarë për njëri-tjetrin”.

Kreu i Shtetit uroi gjithashtu drejtuesit e Mitropolisë së Korçës për një shërbesë të mbarë dhe të suksesshme.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi uroi gjithashtu po nga Korça të gjithë besimtarët ortodoksë për festën e Pashkës.

“Faleminderit që më krijuat mundësinë të bashkoj urimin tim mes mijëra e dhjetëra mijëra urimeve të këtyre ditëve. Dita e Pashkës është një ditë e gëzuar, një ditë mirësie dhe do të uroja që mirësia e këtyre ditëve të përhapet te të gjithë qytetarët e Korçës, te të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Pashkë të mbara dhe ditë të paqta të pasojnë”, uroi Peleshi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›