Beja: Të ngrihet komision hetimor, por kutitë nuk hapen

TIRANË- Depueti i Partisë Demokratike, Fatos Beja thekson se mazhoranca nuk do të bëjë kompromis me opozitën për hapjen e kutive të votimit.
Në një intervistë për gazetën "Shekulli", Beja vë në dukje se mund të ngrihet një komision hetimor parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të Qershorit, por kutitë e votimit nuk mund të hapen. Ai shprehet se mazhoranca dhe opozita e kanë mundësinë për t'u ulur dhe për ta zgjidhur këtë krizë politike.
Por, kjo zgjidhje sipas tij nuk mund të vijë nëpërmjet mekanizmave jo ligjorë, që sipas Bejës, lidershipi i Partisë Socialiste po kërkon të marrë pushtetin "nën tavolinë". Beja shtoi se bojkoti i opozitës është i dëmshëm, pasi Parlamenti nuk mund të kalojë ligje që kërkojnë një shumicë të cilësuar.
Për këtë aryse sipas tij, deputetët duhet të jenë në Kuvend. Ndërkohë që përsa i përket mandateve të deputetëve të PS-së, Beja vuri në dukje se do të ketë ndryshime deri në datën 4 mars.
Z. Beja, opozita vazhdon të qëndrojë jashtë Parlamentit duke kërkuar hapjen e kutive të votimit, ndërsa mazhoranca nuk ndryshon nga qëndrimi i saj, si mendoni, si duhet të procedohet për zgjidhjen e kësaj krize politike?
E vërteta është se është e papëlqyeshme që opozita nuk është ende në Parlament. Pas zgjedhjeve në çdo vend, palët deklarojnë qëndrimet e tyre lidhur me rezultatin e zgjedhjeve dhe vijojnë institucionet.
Opozita për fat keq pretendon për cilësinë e zgjedhjeve, të cilat kanë pasur monitorues dhe instrumentet ligjorë të vlerësimit të tyre të vendit dhe të jashtëm, të cilat i kanë deklaruar ato pa asnjë lloj hezitimi si më të mirat dhe që plotësojnë shumicën e standardeve të Evropës.
Pozita do të vijojë të mbështesë rezultatin e zgjedhjeve, do të vijojë në përputhje me këtë rezultat të drejtojë qeverinë. Opozita duhet të njohë rezultatin e zgjedhjeve dhe duhet të vijë në Parlament për të luajtur rolin e saj si opozitë.
Përsa kohë që opozita me veprimet e saj vë në dyshim zgjedhjet, sigurisht mazhoranca do të vijojë të mbështetet fort tek rezultati i zgjedhjeve. Shqiptarët votuan lirshëm, asnjëherë nuk kanë qenë garantuar votat se këtë rradhë. Nga ana tjetër, kanë qenë në unison instrumentet ligjorë të brendshëm dhe të jashtëm që çertifikojnë zgjedhjet.
Opozita me veprimet e saj vë në dyshim pikërisht këtë rezultat, përtej deklartave që thotë që "unë i njoh zgjedhjet por unë dua të hapen kutitë". Në asnjë mënyrë, nuk do të mundet që kjo mazhorancë të njohë faktin që nuk i ka fituar zgjedhjet. Të gjitha institucionet ndërkombëtare kanë njohur rezultatin e çertifikuar të zgjedhjeve në Shqipëri.
Është vetëm lideri i opozitës, Rama, i cili e vë në dyshim këtë punë. Përsa kohë që Rama vë në dyshim rezultatin e zgjedhjeve, asnjë lloj ndryshimi tjetër nuk mund të ketë. Edhe raporti i Këshillit Evropian nuk i vë në dyshim zgjedhjet, përveç zotit Rama.
Por, Këshilli Evropian ka kërkuar zgjidhjen e krizës politike dhe hetimin e zgjedhjeve të 28 Qershorit, a është e gatshme mazhoranca për një hetim të këtyre zgjedhjeve?
Kush e ka penguar?
Krijimi i komisionit hetimor për çdo gjë në Parlament është e mundshme, pasi e parashikon edhe Kushtetuta e vendit, e ka rregullorja e Kuvendit dhe nuk është e nevojshme të vijnë nga raporte të tjera. Deputetët që vijnë në Parlament, do të kenë të drejtën që të kërkojnë hetimin e zgjedhjeve. Nuk ka asnjë pengesë nga mazhoranca në këtë linjë.
Pra, mazhoranca e pranon hetimin e zgjedhjeve, por pa hapur kutitë të votimit...
Nuk mund të bëhet me kushte nga jashtë. Parlamenti nuk mund të bëhet kurrë me presion nga jashtë, nga rruga, se ndryshe nuk është Parlament. Kushtetuta thotë që deputetët e zgjedhur të vijnë në Parlament dhe të bëjnë betimin. Deputetët që kanë bërë betimin, kanë të drejtën të kërkojnë komision hetimor. Kush i pengon të bëjnë betimin. Askush, përveç Ramës.
A do të pranojë mazhoranca që nëpërmjet komisionit hetimor parlamentar të hapë kutitë e votimit?
Ligjet që janë në fuqi do të aplikohen pa asnjë dyshim edhe për këtë komison, pasi nuk ka asnjë arsye që të paragjykohet. Opozita të vijë në Parlament dhe t'i ndërtojë kërkesat e saj brenda ligjit dhe çfarë thotë ligji do të kenë.
Nuk ka asnjë dyshim për këtë punë. Ne jemi të interesuar si mazhorancë, që opozita të vijë në Parlament dhe të ketë rolin e saj aktiv, nisur edhe nga numri që ka në këtë legjislaturë. E refuzon në mënyrë të çuditshme këtë mundësi që ka, sepse kërkon pushtetin. E kërkon pushtetin "nën tavolinë" dhe "mbi tavolinë". Rama e kërkon pushtetin "nën tavolinë" dhe nuk e do "në tavolinë".
Pushteti vjen nga zgjedhjet dhe opozita i ka humbur zgjedhjet. E mira e Partisë Socialiste është që grupi i deputetëve të zgjedhur nga votuesit socialistë, të vijnë në Parlament dhe të mbrojë atë që kanë shpallur si programin e tyre dhe të bëjë opozitën ndaj vendimeve të qeverisë.
Mazhoranca dhe opozita nuk po ndryshojnë nga qëndrimet e tyre fillestare, ndërkohë që ndërkombëtarët po kërkojnë zgjidhjen e ngërçit politik, cilat duhet të jenë lëvizjet politike si të mazhornacës dhe të opozitës për zgjidhjen e kësaj çështjeje?
Në qoftë se vihet kusht që të bashkëpunohet duke shkelur Kushtetutën dhe ligjin, ky është një kusht, për të cilin mazhoranca nuk ka se çfarë kompromisi të bëjë. Ky është problemi.
Në qoftë se kërkohet kompromisi për të shkelur Kushtetutën, kjo është e papranueshme dhe askush nuk e kërkon nga ndërkombëtarët këtë. Nëse opozita kërkon bashkëpunim, ne jemi gati të bashkëpunojmë.
Nëse kërkon hetim në Parlament, të vijë në Parlament dhe t'i hetojmë e të krijojmë funksionin që ka komisioni hetimor parlamentar. Asnjëherë nuk kemi refuzuar për bashkëpunim. Asnjë nuk ka qenë kundër, gjithmonë jemi ulur të dyja palët në tavolinë, në momente krizash. Të ulemi dhe të diskutojmë.
Por, nuk mund të kërkosh që të zerosh rezultatin e zgjedhjeve dhe të kërkosh pushtetin nëpërmjet mekanizmave që janë joligjorë dhe jo të drejtë. Jashtë ligjit, jashtë Kushtetutës, asnjë produkt pozitiv nuk ka për shoqërinë.
Në qoftë se, opozita mendon se ka çfarë t'i ofrojë shqiptarëve, t'u ofrojë bindjen për të marrë pushtetin në zgjedhjet e ardhshme. Por, nuk mundet që të kërkojë pushtetin jashtë procesit demokratik. Ky është i gjithë problemi. Për fat keq, opozita manifeston këtë qëndrim sot dhe kjo është jo produktive.
Raporti i Këshillit Evropian evidenton edhe një kërkesë tjetër sipas së cilës, duhet që Presidenti Bamir Topi të ndërhyjë për të zgjidhur situatën politike, i cili deri më tani nuk ka shfaqur asnjë shenjë për ta bërë këtë. A duhet të ndërhyjë Presidenti për zgjidhjen e kësaj krize politike?
Presidenti ka rolin e tij kushtetues dhe e gjithë veprimtaria e tij është në kuadrin e Kushtetutës dhe hapësira e tij është ajo që i ofron Kushtetuta.
Rekomandimet e raportuesve në projekt- raportin e Këshillit të Evropës, sigurisht që presidenti i lexon dhe është ai që nxjerr konkluzionet dhe që vendos sesi do të veprojë.
Por, asnjë element, i cili mund të jetë aktiv dhe i dobishëm në funksionimin e institucioneve në Shqipëri, nuk është për t'u nënvlerësuar. Megjithatë, unë nuk të jap rekomandime sesi mund të veprojë Presidenti për këtë situatë, pasi nuk është edhe oportune që unë të orientoj Presidentin.
Bojkoti i opozitës ka krijuar edhe ngërçin institucional, pasi Parlamenti nuk mund të miratojë ligje që kërkojnë një shumicë të cilësuar. Si do të procedohet me këto ligje kur kërkojnë 3/5 dhe a mund të funksionojë Kuvendi në këtë mënyrë?
Miratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar është një atribut që vjen nga qëndrimi i pozitës dhe opozitës. E kemi pasur si problem në parim. Megjithatë, hapësira e negociimit e rinegociimit, e përshatjes, ndryshimit dhe e amendamenteve nga të dyja palët, të tëra janë të mundshme, kur është opozita në Parlament.
Kur nuk është opozita në Parlament kjo nuk është e mundshme fare. Kështu që, në kuptimin e nevojës për të kaluar ligje me shumicë të cilësuar, opozita është e domosdoshme në Parlament dhe nuk ka dyshim për këtë punë.
Prandaj është e pëlqyeshme që të vijë. Për të bërë ndryshime Kushtetuese vërtet duhet të jetë opozita. Në raste të caktuara duhet edhe shumicë e cilësuar, për këtë duhet të jetë edhe opozita. Por, Parlamenti mblidhet mbi bazë të Kushtetutës, në prani të më shumë se gjysmës së anëtarëve të vet. Parlamenti është në kushtet ligjore dhe miraton ligje.
Pra, mungesa e opozitës në Parlament është e padobishme për institucionet dhe për vendin, por nuk e pengon funksionimin e Parlamentit në realizimin e qëllimit të tij kryesor, për nxjerrjen e ligjeve të domosdoshme për ecjen përpara të reformave dhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
A sjell mungesa e opozitës një krizë insitucionale të Parlamentit?
Jo, sepse Parlamenti funksionon. Por është e nevojshme që të jetë. Për shembull në qoftë se, ne si mazhorancë kemi kërkuar edhe legjislaturën e kaluar që të ndryshojmë nivelin e imuniteteve, ne se ndryshojmë dot vetë, duhet të jetë edhe opozita.
Ne do të vijojmë ta kemi këtë handikap për çështje të tilla përsa kohë gjykata administrative, heqja e imuniteteve dhe gjërat e tjera, të cilat janë të nevojshme dhe të dobishme.
Ndërkohë, unë besoj se deri më 4 mars do të kemi zhvillime të reja dhe këto zhvillime do të shkojnë në drejtim pozitiv në raport me rekomandimet e raporterëve, në kuptimin që Kuvendi si institucion të ketë mundësinë e ushtrimit të e plotë të të gjithave atributeve që i jep Kushtetuta.
Sa e mundshme është djegia e mandateve të deputetëve të opozitës, kur në Kushtetutë nuk përcaktoheti qartë afati për humbjen e mandateve?
Kushtetuta është shumë e qartë kur humbet një mandat. Nuk bëhet fjalë për humbjen e mandateve të Partisë Socialiste. Jo. Nuk humbasin mandatet e PS-së. Mandatet i humbasin deputetët, të cilët nuk vijnë për 6 muaj të bëjnë betimin në Parlament. Të tërë ata që vijnë, në përputhje me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, e kanë mandatin.
Janë mandatet e PS-së, nuk janë mandatet e PD-së sepse janë listat e bëra nga Edi Rama. Ata që do të hyjnë në Parlament, janë ata njerëzit që ka zgjedhur Edi Rama dhe ata njerëz për të cilët kanë votuar socialistët. Kështu që, hyrja e tyre tërësore, pjesëore është një çështje që do të marrë zgjidhje deri më 4 mars dhe ne do të shikojmë që do të ketë një ndryshim.
A mund të zëvendësohen mandatet e deputetëve të opozitës, në rast se nuk shkojnë në Parlament pas edhe përfundimit të afatit?
Në qoftë se një deputet ka marrë mandatin nga KQZ-ja dhe nuk vjen në Parlament për 6 muaj të bëjë betimin, Parlamenti është i detyruar të njoftojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mungesën 6 mujore të deputetit. Më pas KQZ-ja është e detyruar të verpojë sipas nenit 164 të Kodit Zgjedhor.
KQZ-ja merr vendim për të njoftuar kandidatin tjetër, që është në listën vijuese për të ardhur e për të bërë betimin në Parlament sepse është një vend bosh. Vendi bosh krijohet kur një mandat zhvlerësohet, humbet, përfundon.
KQZ-ja njofton kandidatin tjetër, i cili është i detyuar që brenda 30 ditëve të shkojë në Parlament për të bërë betimin. Në qoftë se nuk kryen betimin, KQZ-ja rivepron. Kjo është procedura, që do të thotë se është një procedurë e detyrueshme nga Kushtetuta dhe ligji.
Megjithatë, unë personalisht pres ndryshime deri në datën 4 mars. Nga kontaktet, nga njohja me kolegët socialistë, unë e di që ka mjaft njerëz që kuptojnë funksionimin e Kushtetutës dhe demokracisë, kështu që unë besoj se do të ketë ndryshime. Është çështje e personave, të cilët janë mandatuar nga KQZ-ja për të ardhur në Parlament dhe secili prej tyre vendos individualisht.