E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaçka: Meta ka frikë për mandatin e vjedhur

TIRANË- Partia Socialiste reagoi dje ndaj deklaratave të zëvendëskryeministrit Meta se opozita po kërkon të bëjë pazar për të zgjidhur krizën politike.

Deputetja e kësaj force politike, Olta Xhaçka theksoi se Meta është kundër zgjidhjes së situatës politike, pasi sipas saj, kjo do të nxirrte në pah të vërtetën e mandatit të tij, që sipas Xhakçkës i është vjedhur Partisë Socialiste. "Sigurisht që z.

Meta do të ishte kundër zgjidhjes së krizës politike. Ai e ka tradhëtuar popullin opozitar dhe hapja e kutive është kthyer për të në makth, pasi do të nxjerrë në pah të vërtetën e mandatit të tij në Tiranë, mandat që i është vjedhur Partisë Socialiste", - tha dje Xhaçka. Sipas deputetes së selizë rozë, pushteti politik nuk mund të ndahet ashtu siç bëri Meta me Kryeministrin Berisha.

"Sot Ilir Meta është shprehur nga qyteti i Korçës, se nuk paska krizë politike dhe se Partia Socialiste po bën pazar me bojkotin për të fituar drejtimin e disa institucioneve. I bëjmë me dije Z. Meta, se pushteti nuk mund të ndahet si plaçkë lufte siç bëri ai që sot kontrollon 20% të pushtetit me vetëm 4 deputetë.

Përkundrazi, institucionet që ai përmend janë institucione të pavarura, që rrjedhin nga Kushtetuta, dhe kurrësesi nuk mund të pretendojë as Meta, apo Sali Berisha se mund t'i vërë nën thundrën e partisë-shtet, vetëm se gëzojnë shumicën parlamentare", - u shpreh ajo.

Deputetja e Partisë Socialiste shtoi se grupi politik ku ajo bën pjesë si dhe të gjitha forcat politike opozitare do të kërkojnë rivendosjen e demokracisë në Shqipëri dhe lirinë e votës, me qëllimin që zgjedhjet e ardhshme të mos kenë po atë fat që patën zgjedhjet e 28 Qershorit.

"Ndryshe nga Ilir Meta që flet për pazare, pasi ai e sheh politikën si pazarin e radhës, Partia Socialiste kërkon rivendosjen e demokracisë në Shqipëri, respektimin e të drejtës së një populli për të vendosur lirisht përmes votës.

Nuk është vetëm Partia Socialiste, por i gjithë populli opozitar që kërkon hapjen e kutive, për të mos lejuar që zgjedhjet e ardhshme të kenë të njëjtin fat që patën zgjedhjet e 28 qershorit: një qeveri që nuk reflekton vullnetin e lirë të zgjedhësve", - theksoi më tej Xhaçka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›