E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falsifikonin pasaporta bullgare për të hyrë në BE

Bujar Sallata dhe Shpëtim Bega u kapën disa muaj më parë nga policia me pasaporta bullgare që përdoreshin për në vendet europiane

Prokuroria mbyll hetimin për dy personat e dyshuar të cilët janë dërguar për gjykim në shkallën e parë në kryeqytet

TIRANË- Institucioni i akuzës përfundoi fazën hetimore dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të të pandehurve Bujar Sallata e Shpëtim Bega, të akuzuar për "falsifikim të dokumenteve" të shteteve të BE-së.

Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë prokurorisë së kryeqytetit dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, që për shqyrtim të çështjes drejtues i trupit gjykues është caktuar Artan Broci.

Sipas dosjes me nr. 2368, të pandehurit Sallata dhe Bega kanë konsumuar veprat penale të " Falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave"; "Prodhimit të mjeteve për falsifikim të dokumenteve" si dhe "Falsifikim të dokumenteve" në bashkëpunim. Mësohet nga akuza se gjithçka ka filluar në vitin 2004, kohë kur Bullgaria mori ftesën për tu pranuar në Bashkimin Evropian me të drejtat të plota, në Shqipëri filluan të qarkullonin pasaporta bullgare të falsifikuara, të cilat shiteshin në treg të zi me çmime të ndryshme.

Por, me hyrjen në BE të Bullgarisë në vitin 2005 "falsifikatorët" në Shqipëri ishin kamufluar dhe nuk binin në sy si dikur që ishte shumë e lehtë për të gjetur një pasaportë false të një shteti në BE. Që nga kjo kohë, autoritetet e policisë vendase ishin në kërkim të gjurmëve të "falsifikatorëve" të dokumenteve të shteteve që ndodhen në BE.

Investigimi disavjeçar i policisë arriti që në mars të 2009 të bjerë në gjurmët e dy personave që kryenin falsifikim të dokumenteve të shteteve që ndodhen në Bashkimin Evropian kundrejt çmimeve të ndryshme.

Me marrjen e lejes nga organi i akuzës, policia vendosi të ndjekë dhe të përgjojë dy të pandehurit që kishin ngritur laboratorin në lagjen e "21 dhjetorit" në kryeqytet.

Pas një muaj vëzhgimi dhe ndjekje, policia më 23 prill 2009 organizon operacionin për arrestimin e tyre duke e koduar me emrin "Ora e vonë". Gjatë këtij operacioni u arrestuan shtetasit Shpëtim Bega, 45-vjeç, dhe Bujar Sallata, 38-vjeç, që të dy banues në kryeqytet.

Sipas kërkesës për gjykim që mban nr. e dosjes 2368 të pandehurit u arrestuan në afërsi lagjes "21 dhjetori" në kryeqytet në momentin që po tentonin t'iu dorëzonin blerësve dy pasaporta të falsifikuara bullgare.

Pas arrestimit të tyre, prokuroria me vendim gjykate autorizoi policinë e shtetit të kryejë kontrolle të imtësishme në banesat e tyre, ku gjeti dhe sekuestroi një sasi tjetër të dokumenteve të falsifikuara.

"Të pandehurve Shpëtim Bega e Bujar Sallata në cilësinë e provës materiale, iu gjetën dhe sekuestruan dy pasaporta bullgare, një kartë identiteti bullgare, një patentë shoferi të shtetit italian, 20 pulla të taksave vjetore me vulë të njomë, një njësi qendrore e kompjuterit, skaner, tre telefona celularë, dy USB të cilat brenda saj kishin kopje të dokumenteve të falsifikuara.

Gjatë këqyrjes së njësisë qendrore të kompjuterit u konstatuan gjithashtu afër 40 specimente (kopje) vulash të institucioneve shqiptare",-thuhet në dosjen e prokurorisë që tashmë ndodhet në duart e treshes gjykuese të kryesuar nga gjyqtari Artan Broci.

Mësohet se gjyqtari Broci ka caktuar datën 8 shkurt ora 10:00 për zhvillimin e seancës së parë gjyqësore në ngarkim të dy të pandehurve që ndodhen të izoluar në qelitë e paraburgimit në kryeqytet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›