E Diel, 1 Nëntor 2026

Bëjmë ligje si të BE-së, por nuk i zbatojmë

Kemi dëshirë të madhe për t‘u integruar në Bashkimin Europian, por nuk shprehim vullnetin për ta realizuar. Mjafton të shikojmë ligjet e pafundme të miratuara në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA), të cilat nuk janë zbatuar. Kjo për faktin se shumë prej tyre nuk përputhen me realitetin shqiptar (p.sh. ligje për mjedisin). Gjatë procesit të zbatimit të detyrimeve të lidhura me MSA-në, janë vërejtur probleme të karakterit ligjor, social dhe ekonomik. Për të kuptuar më qartë punën e bërë nga qeveria shqiptare rreth zbatimit të angazhimeve drejt integrimit të BE-së, grupi i monitorit publikoi dje për herë të tretë "Raportin Vjetor të Monitorimit të Shqipërisë në Procesin e MSA-së", projekt i financuar nga SOROS. Në raport, një grup ekspertësh nga fusha të ndryshme synojnë të evidentojnë zbatimin e angazhimeve të ndërmarra nga Shqipëria në kuadër të procesit të Stabilizim-Asocimit gjatë periudhës tetor 2008 - shtator 2009. Në tërësi raporti evidenton problemin kryesor që lidhet me zbatimin e ligjeve të miratuara nga Parlamenti. Në përfundim kuptohet se qeveria shqiptare ka treguar vullnet të plotë për t‘i bërë ligjet si të Bashkimit Europian, por kur vjen te zbatimi i tyre, hasen pengesa, të cilat lidhen më së shumti me realitetin në vend. Raporti analizon punën e bërë nga Parlamenti, qeveria, të drejtat e njeriut, konkurrenca në treg, standardet evropiane etj.

Ecuria e zbatimit

"Vlen të theksohet se Shqipëria, më shumë se sa nga mungesa e dokumenteve strategjikë, ka vuajtur nga mungesa e zbatimit të tyre", evidenton raporti në pjesën ku trajtohet puna e qeverisë. Te funksionimi i administratës publike, raporti thekson se, emërimet në shërbimin civil vazhdojnë të bëhen nën ndikimin politik dhe nëpërmjet procedurave jo transparente (konkurset bëhen në mënyrë fiktive). Nga ana tjetër sektori i drejtësisë në Shqipëri vazhdon të reformohet, por ajo që vihet re më së shumti këtë vit është "mungesa e një strategjie afatgjatë për reformën në drejtësi dhe mungesa e një komunikimi të vazhdueshëm konstruktiv midis palëve politike nga njëra anë dhe ekzekutivit dhe aktorëve të tjerë të sistemit të drejtësisë nga ana tjetër". Probleme hasen edhe në luftën ndaj korrupsionit, ku më shumti institucionet e linjës punojnë në mënyrë jo të organizuar dhe pa koordinim.

Kriteri ekonomik

Lidhur me punën e bërë nga Autoriteti i Konkurrencës rreth përafrimit të ligjeve dhe rregulloreve sipas standardeve të BE-së, raporti vëren arritje pozitive. Sipas grupit të monitorimit të MSA-së, vendimet e Autoritetit të Konkurrencës kanë prekur sektorë të ndryshëm të ekonomisë, që operonin në dëm të konsumatorit dhe në mungesë konkurrence. Duke u ndalur te prokurimi publik, raporti vë në dukje shkeljet e konstatuara me shqetësim nga Avokati i Prokurimeve. "Shqetësimet lidhen me mangësi të vërejtura në dokumentet dhe procedurat e tenderimit, me vendosjen e kritereve diskriminuese, me favorizime operatorësh që nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara, me zvarritje procedurash për tenderimin apo për shqyrtimin e ankesave, me mosrespektimin e rregullave në rastet kur ka filluar hetimi administrativ etj.", thuhet në raport.

Bujqësia dhe mjedisi

Për sa i përket reformave në ngritjen dhe funksionimin e sistemit që do të garantonte sigurinë ushqimore, është miratuar ligji "Për Ushqimin", por mbetet një boshllëk i madh në ngritjen e strukturave për zbatimin e tij. Mbrojtja e mjedisit mbetet një nga çështjet me ndjeshmëri të lartë, e cila është në raport të drejtë me zhvillimin ekonomik të vendit, duke mbështetur zhvillimin industrial. "Megjithëse Shqipëria ka ratifikuar një sërë marrëveshjesh apo protokolle ndërkombëtare, një pjesë e madhe e tyre janë praktikisht të pamundura të zbatohen për shkak të mungesës së legjislacionit dytësor, që do të mundësonte zbatimin e tyre", thekson raporti.

Rekomandimet

Duke u ndalur shkurt në fusha të rëndësishme ekonomike, ekspertët e grupit të punës japin disa rekomandime që lidhen me politikat industriale, SME-të, statistikat apo transporti. Sipas tyre, nevojitet hartimi sa më parë i strategjisë për minierat, në përputhje me kontratat koncesionare, kurse për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME) nevojiten nxitje dhe inovacione për t‘i bërë konkurruese dhe të afta në përfitimin e fondeve që jep BE-ja. "Pavarësisht legjislacionit të plotë, sektori i statistikave ende ka probleme me besueshmërinë e të dhënave. Duhet rritur niveli i pavarësisë e të përmirësohet metodologjia e mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave. Në sektorin e energjisë dhe hidrokarbureve, vlen të theksohet nevoja për një qasje më të kujdesshme. Situata të caktuara (si p.sh D2 apo i OSSH) duhen menaxhuar në përputhje me detyrimet e përcaktuara në kuadër të OBT dhe MSA. Transporti rrugor duhet të ruajë një raport të drejtë mes sasisë së investimeve dhe cilësisë së tyre sipas normave të BE-së, duke përfunduar sa më parë shndërrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve në ent publik", janë disa rekomandime të bëra publike nga grupi i monitorimit të MSA-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›